Në Ministrinë e Drejtësisë sot u realizua takim koordinues lidhur me realizimin e rekomandimeve të Grupit të Vendeve Kundër Korrupsionit – GREKO të Këshillit të Evropës të Raundit të Katërt të vlerësimit, në temën: “Ndalimi i korrupsionit tek anëtarët e Kuvendit, gjyqtarët dhe prokurorët publik”, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Takimin e udhëhoqi ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji. Në takim morën pjesë Aneta Arnaudovska, shefe e Delegacionit të RM-së në GREKO, Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Kryetari i Shoqatës së Prokurorëve Publik, Kryetari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, përfaqësues i Kuvendit të RM-së dhe përfaqësues të sektorëve kompetent të Ministrisë së Drejtësisë.
Pjesëmarrësit në takim informuan për aktivitetet e ndërmarra për realizimin e mëtutjeshëm të rekomandimeve për të cilat GREKO, në Raportin e Parë për harmonizim për Republikën e Maqedonisë – Raundi i Katërt, konkludoi se nuk janë realizuar ose janë pjesërisht të realizuara. Duke pasur parasysh faktin se GREKO, me raportin e lartë cekur, ka caktuar 31 janarin të 2018-ës si afat të fundit për realizimin e rekomandimeve, janë shkëmbyer edhe informacione për gjendjen dhe planet e institucioneve në periudhën e ardhshme në këtë drejtim, njofton AIM.
Ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji, ceku angazhimin e tij për realizimin e rekomandimeve të këtij trupi të cilat janë në domenin e Ministrisë së Drejtësisë dhe potencoi se të njëjtat veç më janë të parashikuara në programin për punë të institucionit. Njëkohësisht u bën thirrje edhe institucioneve tjera kompetente të ndërmarrin masa me qëllim të realizimit të rekomandimeve që janë në kompetencën e tyre në kuadër të afatit të parashikuar. /Telegrafi/