Ministria e Drejtësisë nuk ka pranuar asnjë urdhëresë nga Gjykata Themelore për lëshimin e fletarrestit ndërkombëtar ndaj tre personave në veri të Kosovës, të njohur ndryshe në opinion si ‘bosët e nëntokës’ Zvonko Veselinoviq, Millan Radojçiq dhe Millan Mihajlloviq, i njohur me nofkën ‘Pop’.
Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.
“Deri më tani Ministria e Drejtësisë nuk ka pranuar asnjë kërkesë të shtruar nga Gjykata Themelore për arrestim ndërkombëtar ndaj këtyre tre personave”, tha Tahiri për Telegrafin.
Ndryshe në media u raportua se me kërkesë të Gjykatës kompetente, në Ministrinë e Drejtësisë është dorëzuar urdhëresa për lëshimin e fletarrestit ndërkombëtar për tre persona, dhe që këto fletarreste kanë arritur edhe në Drejtorinë e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut.
Veselinoviq, Radojçiq dhe Mihajlloviq, për banorët e veriut janë të njohur si sinonim i nëntokës, i dhunës, kërcënimeve dhe distribuimit të narkotikëve./Telegrafi/