Telegrafi

Tahiri: Të sqarohet lidhja e Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës me organizatën terroriste ‘Syri i Popullit’

Ministri i Drejtësisë në detyrë, Abelard Tahiri ka thënë sot se duhet të sqarohet lidhja e Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës me organizatën “Syri i Popullit.

Tahiri në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se në seancat e radhës së Kuvendit të Republikës, do të kërkojnë themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar lidhjen shkakore në mes të Vetëvendosjes dhe organizatës “Syri i Popullit”.

Lexoni të plotë postimin:

Për faktin se tashmë kemi një aktgjykim dënues për disa persona të akuzuar për vepra terroriste kundër rendit kushtetues, përmes organizimit në tentativë të atentateve ndaj krerëve të shtetit, si dhe për faktin se në mesin e këtij grupi ka anëtarë e familjarë të krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje, heshtja e saj dhe mos distancimi nga ky grup është e pa pranueshme.

Prandaj PDK-ja e ndjen për obligim që ndaj kësaj heshtje të Vetëvendosjes, të kërkojë llogari. Në seancat e radhës së Kuvendit të Republikës, do të kërkojmë themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar lidhjen shkakore në mes të Vetëvendosjes dhe organizatës ‘Syri i Popullit’.

Shoqëria jonë, në kuadër të rendit demokratik e liberal është edukuar në atë mënyrë që të tolerojë diversitetin e bindjeve politike dhe ballafaqimin e tyre në kuadër të debatit politik. Por nuk mund të tolerojë cenimin e këtyre parimeve nga organizata para-politike, të nxitura e të motivuara politikisht nga subjektet që abuzojnë me demokracinë për t’iu kundërvënë të njëjtës

Mbi këtë bazë, është emergjente që relacioni i Vetëvendosjes dhe veçmas Albin Kurtit e Glauk Konjufces me këtë grup që planifikonte vepra terrorizmi të sqarohet deri në fund, dhe ne si PDK do të sigurohemi që një gjë e tillë të ndodhë, pikërisht aty ku ndërtohet dhe ballafaqohet politika, në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Pa një epilog gjithëpërfshirës mbi këtë çështje, figura e Glauk Konjufces si Kryetar i aureolës së demokracisë tonë, Kuvendit të Republikës, është tërësisht e pa pranueshme”. /Telegrafi/