Kosova dhe institucionet e saj të drejtësisë gjatë kësaj dekade të pavarësisë së Kosovës kanë bërë hapa mjaftë të mëdhenj në shtrirjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Kosovës, ka thënë ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri në emisionin “Përballje”.
Ai ka thënë se për herë të parë në këtë 10 vjetor kemi gjyqtarët tanë në veri të Mitrovicës.
“10 vjetori e gjen Kosovën me një sistem funksional të drejtësisë në tërë territorin e Kosovës”, ka thënë ai.
Tahiri ka përmendur edhe hapa të tjerë në sektorin e drejtësisë, duke thënë se do të rrisin edhe pagat e gjyqtarëve e prokurorëve.
“Rritja e buxhetit të KGJK-së dhe KPK-së, ku e kemi shtuar për 300 numrin e punëtorëve, ku do të ketë zyrtarë ligjorë shtesë që do t’iu ndihmojnë gjyqtarëve dhe prokurorëve në punën e tyre është veç fillimi në këto ndryshime”, ka potencuar ai.
“Vendimi është i pezulluar për rritjen e pagave. Do të dalin në mënyrë retroaktive nga momenti kur janë rrit…është plotësisht e drejtë rritja e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë”, ka thënë ai.
Tahiri ka thënë se Komisioni për legjislacion e ka votuar ligjin për Prokurorin e Shtetit dhe beson që në seancat e ardhshme të Kuvendit do të jetë në rend dite.
Videon lidhur me këtë çështje mund ta ndiqni nga minuta e 08:00. /Telegrafi/