Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka pritur sot në takim ministrin e Brendshëm, Ekrem Mustafa, Kryeprokurorin, Aleksandër Lumezi, dhe drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj.
Ky takim ka ardhur pas abuzimit seksual me të miturën në komunën e Drenasit, transmeton Telegrafi.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Tahiri ka shkruar se abuzimi me pozitën institucionale, do të ndëshkohet.
“Në vazhdën e angazhimit tim të përditshëm, sot kam pritur në takim Ministrin Mustafa, Kryeprokurorin Lumezi dhe Drejtorin e Policisë Qalaj, me të cilët kemi ndarë shqetësimin e përbashkët rreth këtij rasti si dhe shqetësimet tjera të qytetarëve tanë që ndërlidhen me sigurinë. Abuzimi me pozitën institucionale në çdo nivel është i pa pranueshëm dhe duhet të ndëshkohet, veçmas kur ky abuzim ndodhë nga ata që janë përgjegjës për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve”, ka shkruar ministri i Drejtësisë.
Tahiri tutje ka shkruar se ky rast do të trajtohet deri në fund, dhe abuzuesit do të marrin ndëshkimin sipas ligjit.
“Ky rast do të trajtohet deri në fund dhe çdo shkelje që cenon besimin e qytetarëve në institucione do të marrë ndëshkimin sipas ligjit. Institucionet tona të rendit dhe ligjit, do të vazhdojnë edhe më fuqishëm punën e tyre në shërbim të qytetarëve dhe rritjes së sigurisë së tyre. Ky është imperativ i pa kompromis”, përfundon Tahiri postimin në Facebook.
Ndryshe për abuzimin me vajzën e mitur nga mësuesi dhe polici, sot është protestuar në Prishtinë. /Telegrafi/