Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, tha se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së pa e njohur pavarësinë e Kosovës. Ajo tha se “sa më shumë që Kosova dhe Serbia t’i afrohen BE-së ‘njohja reciproke ndërmjet dy vendeve do të ndodh’.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministrja Tahiri tha se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të normalizohen me, siç tha, “një Kushtetutë të kundërthënëse të Serbisë, ku Kosova është pjesë e saj”.
Kosova dhe Serbia kanë hyrë në një proces të dialogut për normalizim marrëdhëniesh, që prej vitit 2011, me lehtësim të BE-së dhe kanë arritur një numër marrëveshjesh, një pjesë e të cilave presin të zbatohen.
“Përveç kushtit për fqinjësi të mirë të rrugës për integrime evropiane Serbia e ka edhe kapitullin 35, e cila e detyron atë që të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore. Në këtë kuadër një çështje e rëndësishme është se duhet të ketë edhe marrëveshje e cila do të jetë ligjërisht e obligueshme në fazat vijuese dhe ne si për fillim kemi kërkuar që tash është koha që Serbia ta nxjerr nga kushtetuta e saj, pra nga preambula, Kosovën”
“Sepse nuk mund të ndodh fqinjësia e mirë më një kushtetutë kontraverze të Serbisë. Ndërsa fundi i procesit do të jetë njohja reciproke mes dy shteteve”, tha Tahiri.
Në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se kur mendon se mund të ndodh një gjë e tillë, ajo u përgjigj:
“Sa më afër që i afrohem Bashkimit Evropian do të ndodh kjo, po ajo që dihet sigurt, Serbia nuk mund të behët anëtare e Bashkimit Evropian pa e njohur pavarësinë e Kosovës”, tha Tahiri për Radion Evropa e Lirë.
Serbia ka hapur disa kapituj të rëndësishëm të bisedimeve me BE-në për anëtarësimin e saj, ndërkohë që është paralajmëruar se kapitulli 35 për çështje të ndryshme, të përfshijë kryesisht “normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën”.
Serbia e ka kundërshtuar fuqishëm pavarësimin e Kosovës që prej vitit 2008.