Telegrafi

Tahiri: Shkëlqimi kombëtar i Sali Berishës është i paprekshëm, mbetet lider historik

Ish-kryengeociatorja në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri ka reaguar pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shpallur ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha si person “non grata”.

Tahiri në reagimin e bërë ka thënë se shkëlqimi kombëtar i Sali Berishës është i paprekshëm, transmeton Telegrafi.

“Ai mbetet një lider historik i kombit shqiptar sepse vuri kombin mbi të gjitha. Udhëhoqi me vizion dhe vendosmëri drejt Shqipërisë demokratike dhe euro-atlantike dhe aleancës strategjike me Amerikën, duke bërë kthesën historike nga komunizmi në demokraci”, thotë ajo.

Tutje ajo ka shkruar se Sali Berisha solli lirinë për popullin duke i dhënë fund totalitarizmit që kishte pllakosur Shqipërinë për dekada.

“Por mbi të gjitha Sali Berisha mbrojti dhe avancoi interesat kombëtare duke i dhënë mbështetje gjysmës tjetër të kombit të mbetur padrejtësisht nën dominimet e huaja. Njohja e hershme e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetja e vazhdueshme për luftën tonë për liri e pavarësi ka qenë një shtyllë e fortë për neve udhëheqësit e pavarësisë së Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.

Më tej, ajo thotë se “Askush nuk mund të cenoj atdhetarinë e Sali Berishës”.

“Nuk ka lider pa gabime, por liderët që shkruajnë historinë e kombit mbeten në faqen  ndritshme të historisë”.

Ndryshe, ish kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe familjes së tij i është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këtë e bëri të ditur sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken në një postim në Twitter.

“Aktet e korruptuara të ish-presidentit të Shqipërisë Sali Berisha minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë po e them publikisht se Berishën dhe anëtarët e ngushtë të familjes së tij janë të papërshtatshëm për hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi të bashkuar me partnerët tanë në Shqipëri për luftë kundër korrupsionit”, kishte njoftuar ai.

Ndërkaq, ish kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha përmes një postimi në Facebook, ka ftuar sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken që të publikojë faktet e dokumentet mbi të cilat është bazuar vendimi.

“Duke shprehur keqardhje për vendimin dhe duke e konsideruar atë pa asnjë baze konkrete, ju ftoj të bëni publike çdo fakt e dokument që administrata e juaj, apo kushdo në botë, mund të disponojë për të argumentuar pretendimin tuaj për mua dhe familjarët e mi”, shkruan ndër të tjera Berisha në postimin e tij.

Vendimi i SHBA-së ka nxitur reagime në Shqipëri. /Telegrafi/