Telegrafi

Tahiri: Serbia nuk ishte bashkëpunuese në rastin e Ivanoviqit (Video)

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në emisionin “Përballje” ka folur edhe për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Tahiri thotë se në këtë tragjedi e kemi parë funksionimin e shtetit të Kosovës ku të gjitha vendimet edhe hetimet janë bërë nga institucionet e shtetit, duke shtuar se “institucionet e Republikës së Serbisë kanë qenë shumë të pasinqerta për të bashkëpunuar me palën kosovare”.

“Republika e Serbisë janë shumë të pasinqertë dhe nuk kanë bashkëpunuar me autoritet e Kosovës, dhe për mendimin tim ata nuk janë fare të interesuar që të zbardhin këtë vrasje”, ka deklaruar Tahiri, përcjell Telegrafi.

Sipas tij, Kosova ishte përgjigjur në kërkesat e tyre por pa përgjigje.

“Ne ju kemi përgjigjur katër kërkesave tyre, mirëpo ne nuk kemi marrë përgjigje për kërkesat tona, ata nuk janë fare bashkëpunues” ka shtuar Tahiri.

Ai ka folur edhe për nismën e shfuqizimit të dhomave të specializuara të Gjykatës Speciale.

Sipas tij, ka qenë iniciativë që të thirrej seanca dhe të diskutohej.

“Nuk do të ketë shfuqizim të atij ligji dhe do të vazhdohet më tutje”, ka deklaruar ministri  Tahiri.

Emisioni “Përballje” është prodhim i Telegrafit me gazetarin Muhamet Hajrullahu dhe transmetohet çdo të hënë në ora 20:10 në RTV Dukagjini. /Telegrafi/