Site icon Telegrafi

Tahiri: “Rritja” e pagave nuk mbulon dështimet ekonomike të kësaj qeverie

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka shprehur shqetësimin e tij për rritjen e pagave të paralajmëruar nga qeveria, duke thënë se “nuk i mbulon dështimet në ekonomi dhe rënien e standardit të jetesës.”

Ai theksoi se kjo rritje e premtuar është “tejet e vogël” për të adresuar nivelin e varfërisë në familjet kosovare, i cili është rezultat i “rritjes së çmimeve të produkteve, çmimit të energjisë elektrike, rritjes së tatimit në pronë dhe politikave të gabuara që kjo qeveri i ka miratuar.”

Tahiri përmendi se, kur financat e shtetit menaxhoheshin nga Bedri Hamza, “Kryeministri i ardhshëm i Kosovës i rriti pagat e mjekëve 87%, të arsimtarëve 89%, pagat e infermierëve 133%, dhe të policëve 139%.”

Ai theksoi se “pa marrë asnjë cent borxh,” qeveria kishte ndërtuar dy autostrada, duke transformuar vendin dhe duke sjellë investitorë të mëdhenj në sektorin energjetik.

Duke përmendur sukseset e kaluara, Tahiri theksoi: “Të gjithë qytetarët i mbajnë në mend rritjet e pagave nga Bedri Hamza në qeveritë e udhëhequra nga Kryeministri Thaçi.”

Ai përfundoi me një mesazh duke thënë se “koha e premtimeve të kësaj qeverie në shkuarje ka kaluar. Koha e përparimit dhe ndryshimit po vjen me 9 shkurt”. /Telegrafi/

Exit mobile version