Telegrafi

Tahiri i reagon Kurtit pas letrës dërguar ambasadorëve: Deputetët e partisë tuaj nuk votuan për ligjet në ndihmë të qytetarëve

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka reaguar pas letrës së liderit të LVV-së, Albin Kurti drejtuar ambasadorëve të huaj në vend, ku u kërkon ndihmë për menaxhimin e pandemisë.

Tahiri përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se pikërisht deputetët e partisë së Kurtit, nuk i votuan ligjet për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të goditur nga pandemia.

“Fshehja e përgjegjësisë dhe hipokrizia përballë kësaj situate nuk mund të kamuflohen me simbolika dashamirëse”, ka shkruar Tahiri.

Lexo po ashtu Kurti letër ambasadorëve: Kosova po dështon në menaxhimin e pandemisë, kërkoj ndihmën tuaj që të ndalojmë një katastrofë humanitare

Postimi i plotë:

Sot, Albin Kurti u kërkoi ndihmë shteteve mike të Kosovës, por javën që lamë pas ishin pikërisht deputetët e partisë së tij që nuk votuan ligjet e nevojshme për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të goditur nga pandemia, në mes tjerash ligjin që mundëson tërheqjen e 10 % të parave nga Trusti. Pra, kishte mundësi t’ua lehtësonte barrën qytetarëve, por Kurti dhe deputetët e tij nuk e bënë këtë. Ashtu siç nuk e bënë as kur e qeverisnin vendin.
Fshehja e përgjegjësisë dhe hipokrizia përballë kësaj situate nuk mund të kamuflohen me simbolika dashamirëse.
Natyrisht se Kosova ka nevojë për ndihmën e vendeve mike. Por, vendet mike duhet po ashtu t’i kursejmë nga përgjegjësitë që na takojnë neve si politikanë, prej të cilave komplet Vetëvendosja dhe lideri i saj kanë hequr dorë. /Telegrafi/