Telegrafi

Tahiri i reagon Kosnett-it: Ministria e Drejtësisë nuk ka kompetencë ligjore për të liruar ndonjë të burgosur

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka reaguar pas deklaratave të fundit të ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, i cili ka kritikuar Ministrinë e Drejtësisë për lirimin e një të dënuari me 15 vjet burgim për krime lufte në “Rastin Kukësi”.

Në reagimin e bërë nga ministri Tahiri, thuhet se Ministria e Drejtësisë nuk ka asnjë kompetencë ligjore për të liruar nga vuajtja e dënimit, apo pezullimi i dënimit për asnjë person, transmeton Telegrafi.

Ministri Tahiri, kërkon që gjeneruesit e lajmit për lirim nga burgu të të dënuarit si dhe Ambasadori Kosnett, të kenë referencë të saktë ligjore mbi procedurat që ndiqen për të liruar ose mbajtur dikë brenda qendrave korrektuese.

Reagimi i plotë i ministrit Tahiri:

“Si Ministër i Drejtësisë i Republikës së Kosovës, unë mirëkuptoj dhe i bashkëngjitëm vullnetit të mirë të partnerëve tanë strategjik për fuqizimin e sundimit të ligjit, me theks të veçantë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat përmes programeve të shumta kanë qenë dhe janë mbështetës të fuqishëm të reformave që kemi ndërmarrë dhe po vazhdojmë t’i avancojmë brenda sistemit të drejtësisë.

Por, sot kam hasur në lajme që iu kanë referuar ambasadorit Amerikan në Kosovë, z. Kosnett, i cili ka cituar tërësisht në mënyrë të gabuar kompetencat që ushtron Ministria që unë drejtoj, me rastin e raportimit të një vendimi për pezullim të burgimit që i është bërë një individi të caktuar.

Dëshiroj të sqaroj opinionin e gjerë, ambasadorin Kosnett dhe mediat e respektuara se Ministria e Drejtësisë nuk ka asnjë kompetencë ligjore për të liruar nga vuajtja e dënimit, apo pezullimi i dënimit për asnjë person.

E vetmja kompetencë që ndërlidhë Ministrinë e Drejtësisë me personat e dënuar, është menaxhimi me Qendrat Korrektuese, të cilat, në secilën rrethanë që ndërlidhet me lirimin apo mbajtjen e personave të dënuar brenda burgjeve, zbatojnë vendimet e organeve të pavarura, përkatësisht vendimeve gjyqësore, siç ndodhë rëndom në shtetet ku sundon rendi dhe ligji.

Unë kërkoj dhe ftoj që gjeneruesit e këtij lajmi, si dhe Ambasadori Kosnett, të kenë referencë të saktë ligjore mbi procedurat që ndiqen për të liruar ose mbajtur dikë brenda qendrave korrektuese.

Pas verifikimit të këtyre procedurave, besoj se do ta kenë të qartë se lajmi i lansuar nuk ka asnjë ndërlidhje të asnjë forme me Ministrin dhe me Ministrinë e Drejtësisë.

Për fund, dëshiroj të siguroj qytetarët dhe partnerët tanë, se konsolidimit të shtetit ligjor dhe reformave që e bëjnë të mundur atë, jemi duke i kontribuar pareshtur dhe do t’i kontribuojmë në vazhdimësi, duke llogaritur vazhdimisht edhe në ndihmën e tyre”./Telegrafi/