Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se Qeveria Hoti po dështon të sigurojë shumicën e nevojshme për të miratuar politikat e veta në Kuvend.
Tahiri përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se kjo qeveri po bëhet bllokuesi më i madh i adresimit të nevojave të qytetarëve të Kosovës.
“Qeverisja është domosdoshmëri publike por sot është e qartë si drita se qeveria e Avdullah Hotit nuk mund të qeverisë”, ka shkruar Tahiri.
Postimi i plotë:
Tashmë u bënë disa seanca radhazi, prej kur se qeveria e Avdullah Hotit në mënyrë sistematike po dështon të sigurojë shumicën e nevojshme për të miratuar politikat e veta në Kuvend.
Në vend se të zhbllokonte status-quonë, kjo qeveri minorene për nga numrat, po bëhet kështu bllokuesi më i madh i adresimit të nevojave të qytetarëve të Republikës. Madje si qeveri e paaftë për t’i siguruar votat e koalicionit dhe e pa interesuar për të punuar me opozitën, ajo është bërë emri i ri i statusquosë në Kosovë.
Qeverisja është domosdoshmëri publike por sot është e qartë si drita se qeveria e Avdullah Hotit nuk mund të qeverisë. Komoditetin e Avdullah Hotit në status-quo, po e vuajnë qytetarët e Kosovës.