Ministri i Drejtësisë, njëherësh edhe anëtari i kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri gjatë intervistës në Telegrafi.com, ka folur edhe për çështjen e taksës për produktet nga Serbia dhe Bosnja, duke thënë se nuk bënë që të prishen marrëdhëniet me SHBA-të.
Tahiri ka thënë se është e drejtë që duhet të thuhet që kjo taksë nuk duhet të hiqet deri në njohje.
“Është e drejtë që duhet të thuhet që kjo taksë nuk duhet të hiqet deri në njohje. Mirëpo jemi në një kohë se të gjitha arritjet tona i kemi falë mbështetjes së Amerikës…Jam i bindur se pa përkrahjen e tyre nuk do të ishim këtu ku jemi”, ka thënë Tahiri.
Duke komentuar kërkesën e SHBA-ve për pezullim të taksës dhe hapjes rrugë vazhdimit të dialogut, Tahiri ka thënë se është vendim jo i mirë që të kundërshtohet kjo kërkesë.
“Mendoj se është pozicion jo i mirë i Kosovës që të kundërshtohet një kërkesë e Amerikës. Veseli ka dalë me një propozim që të pezullohet taksa dhe të vazhdojmë me reciprocitet”, ka deklaruar Tahiri.
I pyetur se a mund që taksa të jetë shkaktar i prishjes së koalicionit, Tahiri ka thënë se beson që një gjë e tillë nuk do të ndodh dhe se do të arrijnë kompromis brenda koalicionit për kërkesat e Amerikës.
“Liderët e koalicionit kanë takime të vazhdueshme, dhe ne nuk kemi dashur ta lidhim çështjen e qeverisë me taksën. Do të arrijmë kompromis brenda liderëve për kërkesat e Amerikës”, u shpreh Tahiri.
Abelard Tahiri ka thënë se taksa është vendim politik, dhe se taksa nuk duhet të kthehet si diçka që i dëmton relacionet me Amerikën
“Nëse e prishim relacionin me Amerikën, pasojat do ti kemi me dekada dhe kjo klasë politike e mbanë përgjegjësinë”, tha Tahiri. /Telegrafi/