Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka reaguar pas paralajmërimit për reduktimet me energji elektrike.
Tahiri përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se ky paralajmërim është fushatë psikologjike e Qeverisë Kurti.
“Paralajmërimi i reduktimeve në pikë të verës, është asgjë më shumë se paralajmërim i një fushate psikologjike të Qeverisë Kurti. Është thirrje që të bëhemi gati për një dimër të gjatë”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka shtuar se kjo është një matje e pulsit të qytetarëve, të cilët, sipas tij, nëse durojnë sot dy orë, do të durojnë dimrit edhe 12 orë.
“Është test i durimit, është test i manovrimit, është test i mashtrimit. Po na matet pulsi, që nëse durojmë 2 orë verës, do të mund të duronim edhe 12 orë dimrit. Kësaj duhet thënë stop tani, ndryshe do jetë vonë!”, ka përfunduar Tahiri. /Telegrafi/