Shefi i Grupit Parlamentar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se asnjë ministër nuk mund të kërcënojë Kosovën.
Ai shtoi se për deklaratën për reciprocitet që ka bërë ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, është përgjegjësi e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti nëse do ta mbajë ende në kabinet.
Tutje, Tahiri shtoi se një ministër nuk mund ta kërcënojë një shtet.
“Ai nuk është kërcënim. Reciprociteti është një pozicion politik, nuk mundet me kërcënu një ministër, një shtet. Ai është një pozicion i ministrit Rakiq të cilin duhet të ia adresojë kryeministrit, pastaj kryeministri e ka detyrën e vet kushtetuese nëse do ta mbajë në kabinet një ministër që jep pozicione të tilla politike apo jo. Nuk mund ta kërcënoj shtetin as një ministër, as serbë as shqiptar”, tha Tahiri.
Tahiri ka thënë se AAK-ja nuk do të bëjë opozitë kurdo që në Kuvend diskutohet për ndonjë temë që prek interesin e shtetit.
Ai tha se gjatë seancës për synimin e Serbisë për të organizuar referendum në Kosovë, nuk është dashur të ketë fare debat.
“Unë kam shkru tek kryetari i Kuvendit dhe i kam thënë që nëse kjo kthehet në një seancë ku deputetët tregojnë cili është ma patriot se tjetri, atëherë ne do t’i tregojmë qeverisë, për gabimet që i ka bërë në gjatë gjithë kohës. Në këto tema nacionale, kombëtare, ku preket interesi i shtetit, ne nuk bëjmë opozitë. Mirëpo ne do ta themi atë, po e them edhe sot që menaxhimi i situatës është shumë i dobët, është politikë e para aktit të kryer”, tha Tahiri para medieve.
Tutje, ai shtoi se, “Por, ajo çka nuk duhet të bëjmë është që në seancë ku preket një temë që preket interesi kombëtar i këtij shteti të debatojmë”.
“Nuk kemi lejuar, kemi qenë shumë të saktë. Fjalimi im ka qenë një minut, fjalimi i kryetarit të AKK-së ka qenë më pak se dy minuta. Porosia ime për kryetarin e Kuvendit ka qenë shumë i qartë”, tha Tahiri.