Site icon Telegrafi

Tahiri: Nuk ishte e planifikuar ta lëshojmë sallën  

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se lëshimi i sallës nuk ka qenë i planifikuar por sipas tij, erdhi për shkak të fjalimit të kryeministrit të vendit, Albin Kurti.  

Tahiri theksoi se Kurti fliste për çështje që nuk do të duhej të jenë pjesë e një seancë festive.

Lexo po ashtu Fjalimi i Kurtit në Kuvend, opozita braktis sallën

“Ishte vendim dhe veprim politik për t’i dhënë një porosi që mos të abuzohet me ditën më të rëndësishme të një arritje shekullore të kombit shqiptar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës…

Ishte plotësisht e momentit ne erdhëm në sallë të gjithë, u përshëndetëm me gjithë deputetë dhe iu uruam deputetëve të pozitës dhe opozitës, ishte një ngjarje që meriton respekt edhe pse nisi më 15 minuta vonesë, por asgjë nuk ishte e planifikuar.

Plani ynë ishte që të marrim pjesë në seancë solemne e cila u kthye në një seancë abuzime dhe komunikimi politik e mbi të gjitha një seancë që nuk do të duhej të jetë kështu. Seancat e tilla e kanë vetëm një qëllim shprehjen e falënderimit për të gjithë ata që e mundësuan lirinë dhe shpalljen e pavarësisë. Si dhe falënderim dhe thirrje për unitet për shumë sfida të tjera që na vijnë si shtet…”, tha shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri. /Telegrafi/

 

Exit mobile version