Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se në seancën e së enjtes ku do të flitet për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për kontratat njëburimore, do të kërkojnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.
Tahiri ka thënë se në fakt kryeministri Kurti është dorëzuar.
“Një kryeministër që ka një plan qeverisës, objektiva qeverisëse dhe synime që t përmbush projekte ai nuk flet për zgjedhje të parakohshme. Në momentin që flet për zgjedhje është dorëzim i tij, dhe ajo që duhet të ndodh është shkarkimi ose dorëheqja e tij”, tha Tahiri.
Ai shtoi se kryeministri nuk duhet të bëjë komunikim publik dhe të mundohet që topin ta adresojë te opozita.
“Le të viktimizohet, qytetarët e dinë që problemi në Kosovë nuk është Kuvendi por Qeveria”, tha Tahiri.
I pyetur se cilat janë mënyrat për rrëzimin e Kurtit nga pushteti, Tahiri u shpreh se përmes peticionit nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë.
Ai u shpreh se janë tri mënyra për rrëzimin e Kurtit nga pushteti.
“E para është dorëheqja, e dyta përmes mocionit të mosbesimit dhe e treta shpërbërja e Kuvendit. Ne si AAK kemi kërkuar që një vit e gjysmë që të shkarkohet Kurti përmes një mocioni mosbesimi”, tha Tahiri. /Telegrafi/