Shefi i Grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri para deputetëve të Kuvendit të Kosovës kërkoi nga ministri i Shëndetësisë t’i nënshkruajë kontratat për vaksinat antiCOVID-19, në të kundërtën sipas tij, dyshimet për keqmenaxhim dhe korrupsion janë valide.
Tahiri tha se që 45 ditë prej kur Albin Kurti është kryeministër janë mjetet në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë për t’i nënshkruar kontratat dhe blerë vaksinat.
“Pyetja ime për Ministrin e Shëndetësisë, kur ke me nënshkruar kontratën? E dimë që janë kontrata konfidenciale dhe nuk po kërkojmë informacione, por kërkesa jonë është të nënshkruhet kontrata…”, tha Tahiri.
“Nuk po ju kërkojmë informata rreth kontratës konfidenciale, por shfrytëzoni mjetet e nënshkruani kontratat”, tha ai, raporton Telegrafi.
Shefi i GP-së së AAK-së tha se nëse Qeveria Kurti nuk vepron atëherë dyshimet e tyre për keqmenaxhim dhe korrupsion janë valide.
Ai më tej tha se Qeveria Kurti është më e dobëta ku për 45 ditë prej kur është në krye të ekzekutivit dhe 81 ditë prej kur ka fituar zgjedhjet nuk e kanë sjellë në Kuvend programin qeverisës.
“…Kjo bie ndesh me krejt çka keni thanë gjatë fushatës…”, tha ai. /Telegrafi/