Telegrafi

Tahiri: Kushtetuta, themeli juridik i rendit tonë politik, ekonomik e social

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka organizuar sot pritje solemne në shënim të Ditës së Kushtetutës, me ç’rast ka deklaruar se Kushtetuta është themel juridik i rendit politik, ekonomik e social, që i jep formë përditshmërisë institucionale.

“Sot, Kushtetuta nuk është thjeshtë një dokument themelor i rendit tonë juridik, por është një dokument që i jep formë përditshmërisë tonë institucionale dhe marrëdhënieve tona si komunitet qytetarësh. Kushtetuta e Republikës së Kosoavës është një nga dokumentet më të avancuara që i përmbledhë parimet e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe funksionimit të institucioneve, përfshirë edhe të drejtave të garantuara për komunitetet jo shumicë” ka thënë ministri Tahiri.

Ministri Tahiri ka theksuar domosdoshmërinë e respektimit të lirive që i njeh Kushtetuta, por edhe për forcimin e lidhjeve me miqtë ndërkombëtarë.

“Duhet të punojmë për të marrë vendin meritor brenda Bashkimit Evropian. Mbi të gjitha, duhet të punojmë për një gjendje ku zbatimi i Kushtetutës, është rrëfimi ynë i përditshëm, sepse mënyra më e drejtë dhe e sigurtë për të punuar për të ardhmen, është respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve që derivojnë prej saj” ka theksuar ministri Tahiri.

Fjalë rasti në këtë pritje solemne ka mbajtur edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama – Hajrizi. /Telegrafi/