Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se minimumi 87 mijë qytetarë e kanë lëshuar vendin.
Tahiri ka thënë se ata që janë larguar nga vendi janë kryesisht moshë e re.
“Vende të reja pune, jo se jo, por ajo çfarë mund të kuptojmë nga kjo deklaratë e kryeministrit është që për katër vite, 87 mijë është minimumi i atyre që kanë braktisur Kosovën, kuptohet numri më i madh i tyre i moshës së re, fuqi e shkathtë punëmarrëse.
Stop abuzimit me shifra imagjinare!”, ka thënë Tahiri, përmes një postimi në Facebook, transmeton Telegrafi.
Reagimi i Tahirit vjen pasi kryeministri Kurti ka thënë sot se në një periudhë katërvjeçare, 2019-2023, në Kosovë janë hapur 87 mijë vende pune më shumë. Ai gjithashtu ka folur për rritjen ekonomike dhe të buxhetit gjatë qeverisjes së tij.
Këto komente kreu i ekzekutivit të vendit, i ka bërë sot gjatë prezantimit të projektit për reformën e asistencës sociale nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT).
Kurti tha se statistikat e rritjes së vendeve të punës, uljes së shkallës së papunësisë, rritjes së punësimit të grave dhe të rinjve, rritjes ekonomike, rritjes së qarkullimit të bizneseve, e rritjes së të hyrave buxhetore, pasqyrojnë qartazi suksesin e Qeverisë sonë në këtë drejtim.
“Nga 331,742 vende pune në mbyllje të vitit 2019, në fund të vitit 2023, pra për një periudhë 4 vjeçare, kemi 419,126 vende pune apo mbi 87 mijë vende pune më shumë apo mbi 26 për qind. Më tej, nga një rritje ekonomike prej 1 miliard euro për tri vite gjatë mandateve para qeverisë sonë, kaluam në një rritje ekonomike prej 1 miliard euro në vit me Qeverinë tonë. Nga një rritje e të hyrave buxhetore prej 1 miliard euro për më tepër se 10 vite para nesh, kaluam në një mbledhje të të hyrave buxhetore për 1 miliard euro më shumë për tri vite qeverisje”, ka thënë Kurti. /Telegrafi/