Telegrafi

Tahiri: Kurti nuk mund të udhëheq dialogun

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, e ka cilësuar si zhvillim pozitiv takimin e përbashkët të liderëve të shtetit me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini në Bruksel, të paralajmëruar për datën 18 korrik.

Ai ka thënë se beson se koalicioni qeveritar do të vazhdojë kontaktet me opozitën pasi sipas tij, roli i opozitës në këtë proces është shumë i rëndësishëm.

Ministri i Drejtësisë ka përkrahur idenë që i pari i vendit të udhëheqë dialogun me Serbinë duke e vlerësuar si “personin më të përgatitur dhe të përshtatshëm në Kosovë” për një proces të tillë.

Por Tahiri ka qenë shumë i prerë kur ka folur për mundësinë që dialogun ta udhëheqë kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

“Njeriu që më së paku i shkon dikujt në mendje është Albin Kurti. Nuk mund të jetë ai një person që udhëheq një proces kaq të rëndësishëm duke ditë historikun e aktiviteteve të tij politike dhe kundërshtimin e vazhdueshëm të të gjitha procese të mundshme”.

“Si mund ta drejtojë një person i tillë një proces kaq të rëndësishëm?”, tha ai në Info Magazinë të Klan Kosovës.

“Askush nga klasa politike nuk i ka dhënë asnjëherë përkrahjen atij (Albin Kurtit) për udhëheqjen e proceseve të tilla. Unë nuk po flas as për përgatitjen e as për patriotizmin e tij, po flas për qasjen e tij në vazhdimësi në proceset që kanë ndodhë dhe kundërshtimet e tij”, tha Tahiri.