Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Labinot Tahiri, ka komentuar situatën e krijuar politike pas paralajmërimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, se do të nisin një mocion për rrëzimin e Qeverisë.
Tahiri ka pohuar se tani është koha e Albin Kurtit dhe nuk duhet rrënuar vendin, transmeton Telegrafi.
“Derisa nuk vjen koha në Kosovë, kur ne të themi për Kosovën e bej këtë apo atë, e jo për individin, atëherë këtu nuk ka as bashkim dhe as shpëtim, lerë më bereqet. Këtu për një plesht (morr) kallet katundi e harrohet kush jeton në katund, a vuan ndonjë familje nuk i intereson askujt se a është dikush i sëmur rrallë kush e mendon nga klasa politike”, thuhet në reagimin e ish-deputetit.
Tahiri më tej në reagimin e bërë në Facebook, ka pohuar se e kupton kryeministrin Kurtin për situatën në të cilën gjendet.
“I rëndë është fakti, kur mundohesh për të mirë, e të gjuhen të gjithë në shpinë me etiketimin si i keq. E kam përjetuar z.kryeministër Albin Kurti. Zoti të ndihmoftë e qofsh faqebardhë”, ka pohuar Tahiri.
Ndryshe, shkarkimi i Agim Veliut nga pozita e tij si ministër i Punëve të Brendshme, ka nxitur LDK-në të dalë nga koalicioni qeverisës me LVV-në dhe të nis mocionin për rrëzimin e Qeverisë./Telegrafi/