Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka paralajmëruar padi për procedurat e klasifikimit si sekret shtetëror për rezervat shtetërore.
Tahiri tha se këto procedura janë të kundërligjshme.
“Një prej skandaleve më të mëdha, i kemi rezervat shtetërore. Po iu them me përgjegjësi të plotë se procedurat të cilat janë klasifikuar si sekret shtetëror për rezervat shtetërore janë të kundërligjshme dhe po iu them se do t’i padisim dhe do t’i ndjekim në gjykatë për këtë rast. Vendi ku ruhen rezervat shtetërore është plotësisht normale me qenë sekret shtetëror, ajo nuk duhet me u ditë kur ruhen rezervat shtetërore por nuk duhet me u ble, por sa është blerë qysh është blerë, procedurat e kompanitë ku janë këto nuk munden me qenë sekrete shtetërore. Ato rezerva shtetërore që i kanë blerë në Turqi i kanë blerë nga një kompani e ndërtimit ndërmjetësuese, ka qenë një furrë në Kosovë”, tha Tahiri.
Kërkesën e PDK-së për shkarkim të ministres Rozeta Hajdari, deputeti Tahiri e ka quajtur legjitime dhe të mirëqenë.
“Kërkesa jonë për shkarkimin e një ministreje e cila në njërën anë dënohet për mos deklarim të pasurisë dhe në anën tjetër bënë dëme kaq të mëdha në kuadër të kësaj ministrie është plotësisht legjitime dhe ju duhet me e marrë si të mirëqenë këtë kërkesë dhe duhet me qenë vet koshient me ndihmuar në këtë proces sepse ia lehtësoni punën edhe kësaj qeverie me largimin e kësaj ministre”, tha ai.
Tutje, Tahiri u shpreh se dikur kur LVV ka qenë në opozitë e kishte problem të madh çështje e pasurisë së politikanëve e tash po e relativizon.
“Ministrja në fjalë është dënuar dhe tashmë është vepër penale, është dënua nga Gjykatat e Kosovës me vendim të prerë dhe sot kjo për LVV-në, çuditërisht sa ka qenë në opozitë ka qenë një problem shumë i madh çështja e pasurisë së politikanëve tashmë po relativizohet deri në atë masë sa që nuk është problem, edhe pse është dënuar, kjo mundet të vazhdojë të punojë lirisht”, tha ai në seancën në Kuvend. /Telegrafi/