Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka zhvilluar takim me kryeministrin Avdullah Hoti.
Tahiri për Telegrafin ka thënë se kanë diskutuar për temat me rëndësi prioritare shtetërore, para nisjes së delegacionit të Kosovës në Uashington.
“Në vazhdën e bashkërendimit të agjendës qeveritare, sot bashkë me kryeministrin z. Avdullah Hoti patëm takim pune dhe diskutim përmbajtësor për temat me rëndësi prioritare shtetërore”, ka thënë Tahiri.
Pikat e diskutimit:
Bashkërendimi politik në tema nacionale;
Ligji për Qeverinë dhe miratimi i tij final;
Ligji i Pagave, përgatitja e Ligjit me saktësi të koeficientëve, sektor për sektor duke marrë përsipër vendimin e Gjykatës Kushtetuese;
Miratimi i zvogëlimit të barrës administrative që rritë GDP dhe zvogëlon burokracinë për sektorin privat;
Agjenda e Integrimit Evropian;
Rruga Deçan – Plavë;
Miratimi i Ligjit për Financa Lokale;
Menaxhimi i Pandemisë;
Rimëkëmbja Ekonomike – Ligji në Kuvend;
Fillimi i vitit shkollor;
Ndërkaq, takimi me Hoti-Tahiri, vie pas takimeve të partnerëve të koalicionit ditë më parë.
Në takimin që kryeministri Avdullah Hoti ka pasur me liderët e partive politike, të hënën, më 24 gusht, siç kanë deklaruar zyrtarët e partive të koalicionit qeverisës, nuk është diskutuar çështja e zgjedhjes së mundshme të presidentit të ri, por për dialogun.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar që ministri i Drejtësisë nga radhët e AAK-së, Selim Selimi të jetë në takimet e Hotit edhe në Uashington pasi sipas tij ka ekspertizë të madhe në proces.
“Nëse formati i takimit është një me një, unë i besoj kryeministrit Hoti pasi ai është edhe kryeministri im. Por nëse formati i takimeve është dy me dy apo ma shumë persona, unë e dua që në takim të kem edhe njeriun tim”, tha Haradinaj ditë më parë./Telegrafi/