Site icon Telegrafi

Tahiri-Beqa: Shqetësuese pjesëmarrja e zyrtarëve policorë në tubime politike

Politologia, Arta Tahiri-Beqa, e ka vlerësuar shqetësuese pjesëmarrjen e zyrtarëve policorë në tubime politike dhe fushata elektorale.

Tahiri ka thënë se në Kosovë nuk respektohet ndalimi i zyrtarëve policorë për deklarim politik.

“Eshtë shqetësuese, kjo në fakt ka nxjerr në pah diçka që është jashtëzakonisht e rëndësishme se në fushata po janë aktiv edhe përfaqësues të tjerë që kanë të bëjnë po nga Policia, por edhe nga arsimi, për të cilët në fakt janë pozita të drejtorisë që nuk guxojnë të jenë prezent në fushata elektorale, por në vazhdimësi këto gjëra po ndodhin dhe çka është më e keqja ndonjëherë edhe nga kandidatët nëpër borde kemi parë që nuk po respektohet kjo çështja ligjore sesa duhet të jetë aktiv politikisht me një parti politike një individ i cili institucionalisht e ka të ndaluar. Deri më tani kjo gjë në Kosovë nuk është respektuar”, ka thënë ajo në Tëvë1.

Tre zyrtarë policorë të mërkurën janë suspenduar nën dyshimin se të njëjtit kanë qenë pjesëmarrës në tubime politike.

Sipas njoftimit të policisë, një gjë e tillë bien në kundërshtim me procedurat ligjore si dhe udhëzimet e brendshme të PK-së.

“Suspendimi i zyrtarëve policorë është bërë mbi dyshimin për pjesëmarrje në tubim apo aktivitet të natyrës politike, të cilat bien në kundërshtim me procedurat ligjore si dhe udhëzimet e brendshme të PK-së. Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore e kushtetuese, si institucioni kyç për garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim”.

“Policia e Kosovës me gjithë zyrtarët saj, kanë detyrë primare garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët dhe çdo përfshirje e zyrtarëve policorë në aktivitete politike mund të dëmtojë besimin e krijuar ndër vite ndaj Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Exit mobile version