Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se të enjten në seancë plenare do të debatohet për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, Tahiri tha se për herë të parë raporti i DASh e targeton Qeverinë si një institucion që ka probleme serioze me korrupsion.
“Në këtë dite do të debatojmë për raportin e DASh-it për gjetjet që kanë ndodhur. Aty do të kemi një ballafaqim mes pozitës dhe opozitës. Ajo që mund të them është se seanca e radhës e të enjtes fokusin kryesor do të ketë një raport. Raport ky që në esencë për herë të parë targeton qeverinë si një institucion i cili ka probleme serioze me ceshtjen e korrupsionit mirëpo edhe me çështje tjera. Në të njejtën kohë kërkojmë që kryeministri të jep llogari”, deklaroi ai.
Ndërkaq, duke folur për Asocacionin e Komunave me shumicë serbë, ai tha se i njëjti nuk është kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, teksa theksoi se krerët e shtetit e kanë pranuar Asociacionin.
“Raporti i raportueses së Kosovës për Kosovën e saktëson që Kosova i ka përmbush kushtet. Votimi ka ndodhë, unë mendoj qe Kosova e meriton të ketë ftesën për të qenë anëtare e Këshillit të Evropës. Asociacioni në raport nuk është kusht, qeveria duhet të ketë shumë kujdes që anëtarësimi i Kosovës është paradhoma e anëtarësimit euroatlantik”, deklaroi ai.
Më tej, ai tha se shumica parlamentare e ka dështuar Kodin Civil, teksa theksoi se si AAK kanë qenë kundër./kp/