Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka folur për agjendën legjislative.
Tahiri ka thënë se kjo agjendë është e dështuar plotësisht.
“Letërnjoftimi dhe imazhi kryesor i një qeverie se a është e suksesshme apo e dështuar është zbatimi i dokumenteve që i bënë vetë, e një ndër këta dokumente është agjenda legjislative e cila ishte plotësisht e dështuar në vitin 2021”, ka thënë Tahiri.
Ai ka shtuar se me i prezentuar 27 ligje dhe shumë prej tyre mos me i sjell në Kuvend për miratim, janë dështim dhe turpi i kësaj qeverie.
“Me ardh sot në prill dhe me prezentu 27 ligje në periudhën janar-mars dhe mi sjell vetëm 9 ligje ndërsa 18 prej tyre mos me qenë askund është dështimi, turpi dhe mos-efikasiteti i një qeverie. LVV Kosovën e ka marr me çelësa në dorë, me 2.1 miliardë euro, me 117 njohje, me ushtri e me polici, me vendimin e GJND-së që shpallja e pavarësisë është e drejtë dhe populli lyp prej tyre mi kry qeto punë që thotë se unë i kryej”, ka thënë Tahiri.
Tahir më tej shtoi se duhet lënë fjalët dhe duhet t’i përvishen punës. “Boni ju çka kemi ba ne për 20 vjet, leni fjalët, sjellni këto ligje që e përmirësojnë jetën e qytetarëve”, u shpreh ai. /Telegrafi/