Trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku është ndarë i pakënaqur me ndarjen e drejtësisë në humbjen e ekipit të tij nga Gjilani.
Drenica u mposht me rezultat të ngushtë 2-1 në udhëtim te Gjilani, duke humbur kështu pozitën e parë që e mbajti deri sot.
Pas ndeshjes ka folur trajneri i drenicasve, Lushtaku, i cili ka pasur akuza për gjykimin, teksa pati edhe një dedikim për homologun e tij, Ismet Munishi.
“Një dedikim për Ismet Munishin, i cili ka qenë dirigjent shumë i mirë dhe asistues i gjyqtarit kryesor që nga minuta e parë, e përgëzojë për këtë”, ka thënë fillimisht Lushtaku pas ndeshjes.
“Mendoj që në pjesën e parë ishim të barabartë, ishte një penallti e dyshimtë për skuadrën tonë dhe rasti i Kreshnik Ukës në minutat e fundit të pjesës së parë na penalizuan”.
“Në pjesën e dytë u tërhoqëm për të vazhduar më pas me kundërsulme, por nuk na funksionoi. Morëm dy gola të cilët nuk është dashur t’i marrim”.
“Pavarësisht rezultatit, koha nuk na mjaftoi që të rikthejmë rezultatin”.
Në fund, Lushtaku foli edhe për lëndimin e shënuesit kryesor të skuadrës, Kreshnik Ukës.
“Bisedova me Ukën dhe mbetet të shihet çfarë do të ndodhë. Një lëndim të tillë e kishte edhe më herët”, përfundoi trajneri i Drenicës. /Telegrafi/