Site icon Telegrafi

Tadiq: Vuçiq ua ka premtuar ndërkombëtarëve Kosovën

Ish-presidenti i Serbisë (2004-2012) Boris Tadiq, aktualisht lider i Partisë Socialdemokrate, ka thënë se “ndërkombëtarët po kërkojnë nga opozita në Serbi të mos e shqetësojnë opinionin, sepse  (presidenti aktual) Aleksandar Vuçiq ua ka premtuari Kosovën”.

Tadiq i ka thënë gazetës serbe “Blic” se askush nuk mund të thotë se kur do të ndodhë zgjidhja e problemit të Kosovës, por ai më të rëndësishëm e konsideron se si do të jetë kjo zgjidhje.

Ai tha se angazhohet për një zgjidhje të krijimit të dy entiteteve në Kosovë dhe për dalje nga konflikti i ngrirë.

Tadiq ka sqaruar se kurrë nuk do të mbështeste një zgjidhje ta atyre “që me premtimin e servilizmit ndaj çështjes së Kosovës erdhën në pushtet dhe për të cilët ruajtja e interesave personale dhe pushtetit janë mbi ruajtjen e interesave kombëtare”, përcjell Telegrafi.

“Prandaj, me rrëzimin e pushtetit aktual në Serbi zgjidhet një pjesë e madhe e problemit të Kosovës, sepse pa këtë [ndryshimin e pushtetit] nuk ka vend për ndonjë zgjidhje, që në fakt mbron interesat e Serbisë dhe qytetarëve të saj”, thotë Tadiq.

Para se të flitet për planin për Kosovën, Tadiq thotë se “duhet ditur natyrën dhe qëllimin e marrëveshjes dhe premtimet të cilat ky pushtet i ka bërë gjatë viteve të politikës jo transparente për Kosovën, respektivisht gjatë degradimit të pozicionit tonë në Kosovë pas shtatë vitesh të regjimit të Vuçiqit”.

Tadiq beson se “Vuçiqi e ka organizuar dialogun e brendshëm për Kosovën jo në interes të dialogut të vërtetë, por të ndarjes së përgjegjësisë për vendimet personale dhe kinse konsensusit, për atë që ka marrë vetë vendime”.

Ish presidenti Tadiq edhe një herë i ka bërë thirrje Vuçiqit për duel televiziv, sepse, siç tha ai, “është e domosdoshme që qytetarët e dinë të vërtetën e plotë, të cilën nuk e dinë, sepse i janë nënshtruar propagandës së pastrimit të trurit, e deri sa nuk e dinë të vërtetën, nuk mund të nxjerrin gjykim të drejtë”.

“Vuçiqit i konvenon t’i mashtrojë qytetarët në mënyrë që ta bartë përgjegjësinë mbi ta, përmes një referendumi (për Kosovën) të cilin po e paralajmëron”, tha Tadiq. /Telegrafi/

 

 

 

 

 

Exit mobile version