Site icon Telegrafi

Tabloidi Metro: Rita pritet si perëndeshë në vendlindje për koncertin e Pavarësisë

Rita Ora ka dëshmuar se atdheu është atje ku të rreh zemra, pasi është kthyer në vendlindjen e saj Kosovë, për një koncert madhështor për Pavarësinë – nis artikullin tabloidi britanik, Metro, për performancën e këngëtares shqiptare në Prishtinë.

Familja e saj u largua nga Kosova në vitin 1991 para se këngëtarja të mbushte një vjet, mirëpo kjo nuk e ka penguar atë që të ndjehet krenare për origjinën, ndërsa tash është kthyer në vendlindje për ta festuar një dekadë Pavarësi.

Ylli i muzikës ka folur për të kaluarën dhe rrugëtimin e vendit të saj para koncertit. “Ka qenë një rrugëtim i gjatë deri te kjo pikë dhe mendoj se është vetëm fillimi i një rrugëtimi të mrekullueshëm i vendit tonë”, citon Metro fjalët e 27-vjeçares.

Lexo po ashtu GJITHÇKA QË DUHET TË DINI RRETH KONCERTIT TË RITA ORËS NË KOSOVË

Autorja e hitit “Your Song” kishte veshur kominoshe xixëlluese dhe dukej shumë atraktive, ndërsa fillimisht kishte veshur edhe një xhaketë. Mirëpo, kur je Rita Ora mund të veshësh një kostum të këtillë.

Rita e pushtoi sheshin kryesor në kryeqytetin Prishtina, ku u mbajt koncerti, ku u grumbulluan mijëra njerëz për ta ndjekur.

Ajo u shfaq si ambasadore dhe mike e tyre, siç ka thënë në rrjetet sociale, ndërsa ka theksuar se ishte shumë e gëzuar që performonte në qytetin e saj të lindjes.

(Foto: Instagram/RitaOra)

Viti 2018 ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm për Ritën, ndërsa akoma nuk kanë kaluar as dy muaj. Krahas suksesit në muzikë, ajo është paraqitur edhe në filmin “Fifty Shades Freed” në rolin e Mias, motrës së Christian Grey.

Për më shumë, këngëtarja e ka realizuar edhe këngën kryesore të filmit, For You, në bashkëpunim me Liam Payne që po arrin suksese të mëdha në top-lista. /Telegrafi/

Exit mobile version