Paralajmërimi për shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit ka shkaktuar përplasje verbale ndërmjet deputetes, Hykmete Bajrami dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Pasi u paralajmërua se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shpallë sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të shkurtit, ka reaguar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.
Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se a do ta respektoj Albin Kurti dhe Kabineti i tij Ligjin 08/L-117 për Qeverinë, të cilin e kanë hartuar dhe miratuar vetë.
“Sipas Nenit 26 të Ligjit për Qeverinë, i cili është në fuqi që nga viti 2022, nëse rezultatet e zgjedhjeve certifikohen nesër, Albin Kurti dhe të gjithë ministrat që janë zgjedhur deputetë duhet të japin dorëheqje SONTE. Apo kurdo që certifikohen ato, kryeministri dhe ministrat duhet të japin dorëheqje një ditë më herët.
Ja çfarë thotë Neni 26, pika 1:
“Në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.”
Nga ana tjetër, Neni 30 thotë:
“Qeveria në dorëheqje vazhdon të ushtrojë përgjegjësitë e saj, në përputhje me kufizimet e përcaktuara me nenin 31 të këtij ligji, deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga ana e Kuvendit.
Pyetja është: Çka donë me thanë dorëheqja për Albin Kurtin dhe LVV-në, sepse deri me sot kushdo që ka dhënë dorëheqje s’ka punu më në atë institucion.
A e dini çfarë ligji keni miratuar?
Sonte me siguri po pyesni veten pse opozita nuk e ka dërguar edhe këtë Ligj në Gjykatën Kushtetuese.
Amatera!”, ka shkruar Bajrami.
E pas këtij postimit të Bajramit, ka ardhur reagimi i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila në zgjedhjet e 9 shkurtit ishte gruaja më e votuar në LVV.
“Hykmete, mos i ngatërro gjërat si zakonisht. Shpallja e rezultateve dhe certifikimi janë procese të ndara dhe të ndryshme. Nesër mund të bëhet shpallja e rezultateve, jo certifikimi”, ka shkruar Haxhiu të premten në mbrëmje.
Ndryshe, sot, më 15 mars pritet të bëhet shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit. /Telegrafi/