Site icon Telegrafi

A do ta pengojë OBRM-PDUKM-ja shkarkimin e Zvërlevskit?

Sipas Alsat-M, shkarkimi i Kryeprokurorit publik Marko Zvërlevski si duket do të përjetojë fatin e seancës konstituive të Kuvendit. Ndonëse fillimisht shkarkimi i Zvërlevskit ishte paraparë si pikë plotësuese e rendit të ditës, deputetët ndryshuan rendin e ditës duke e vendosur si pikë të pestë. OBRM-PDUKM-ja përmes deputetëve Ilija Dimovski dhe Antonio Milloshoski me procedurë të përshpejtuar propozuan ndryshime në Ligjin për Prokuror Publik.

”T’ju rikujtojmë një premtim zgjedhor të së paku dy personaliteteve të LSDM-së. Ai është premtimi i socialdemokratëve të cilët kishin deklaruar se me ardhjen e tyre në Qeveri do të mundësojë që propozimi dhe zgjedhja e Kryeprokurorit Publik të bëhet me propozim të opozitës. Gjithashtu propozojmë që ai propozim të votohet me 2/3 e votave. Në këtë mënyrë të gjitha partitë politike do të jenë faktor relevant në zgjedhjen e Prokurorit Publik ”, deklaroi Ilija Dimovski, deputet i OBRM-PDUKM-së.

Kërkesat e opozitës nënkuptojnë që Marko Zvërlevski të mos mund gjithashtu të shkarkohet pa dy të treten e votave. Deputetët opozitar mbrojnë me këmbëngulje Zvërlevskin në krye të organit të akuzës, ndërsa njëkohësisht kumtojnë se nuk kanë emra potencial për në vendin e Zvërlevskit. Megjithatë kërkesat e tyre u mbivotuan.

”“Për” kanë votuar 41 deputetë. Nga votimi është përmbajtur një deputet, ndërsa kundër kanë votuar 60 deputetë. Konstatoj se propozimi i deputetëve të OBRM-PDUKM-së nuk miratohet”, tha Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit.

Opozita paralajmëroi se pas 10 ditëve do të propozojë në procedurë të rregullt ndryshimet në Ligjin për prokuror publik. Nga LSDM-ja përmes një reagimi me shkrim theksuan nevojën e bashkëpunimit mes mazhorancës dhe opozitës për kryeprokurorin e ri, por fillimisht kërkojnë pastrimin profesional të organit të akuzës dhe përgjegjësinë e Zvërlevskit. Debati në Kuvend u ashpërsua në momentin kur për pikën e dytë të rendit të ditës, që ka të bëj me drejtorin e Agjencisë së Administratës, për fjalë procedurale u paraqitën të gjithë deputetët opozitar.

Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi paralajmëroi ndërprerjen e debatit duke iu referuar Rregullores së Kuvendit, ndërsa opozita kërkoi personin juridik si propozues i pikës së dytë duke kundërshtuar që si propozues të mbetet vetëm organi ekzekutiv apo Qeveria. Pas pikës së dytë, në rend do të jetë raporti i Avokatit të Popullit, ndërsa më pas shkarkimi i Zvërlevskit rrethana këto që nënkuptojnë se shkarkimi i të parit të Prokurorisë Publike mund të zgjasë me ditë të tëra. Tejzgjatjet e procedurave në seanca plenare bëhen për shkak të mungesës së formimit të grupit parlamentar të OBRM-PDUKM-së, gjë që u mundëson deputetëve të kësaj partie të kërkojnë procedurale dhe replika në pafundësi. Formimin e grupit parlamentar, OBRM-ja e paralajmëroi për në ditët e ardhshme./Telegrafi/

Exit mobile version