Vendet e QUINT-it përmes një letre të përbashkët kanë deklaruar se “status quo”, pengon përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian dhe nuk është e qëndrueshme.
Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ditë më parë, u kanë bërë thirrje dy vendeve që menjëherë të rifillojnë dialogun dhe të shmangin veprimet që pengojnë marrëveshjen përfundimtare.
Sipas letrës së vendeve të QUINT-it, Kosova duhet të heq taksën ndaj Serbisë dhe kjo e fundit duhet të ndërpresë fushatën kundër Kosovës, për heqje të njohjeve. Kjo sipas tyre me qëllim të arritjes së marrëveshjes përfundimtare, në mënyrë që pas saj do të arrihej integrim më i madh euroatlantik për të dy vendet.
Pas kësaj ka reaguar edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se pajtohet me nevojën për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por që dialogu nuk duhet të kushtëzohet.
“Pajtohem për domosdoshmërinë e normalizimit në mes Kosovës dhe Serbisë. Qeveria i ka prezantuar QUNIT-it dhe Bashkimit Evropian draft marrëveshjen me Serbinë ku përfshihen tema të papërfunduara për njohje reciproke në kufijtë ekzistues. E ripërsëris, dialogu pa kushte, pa shtyrje”, ka shkruar Haradinaj.
Ndërsa për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, shqetësimet e vendeve të QUINT-it janë të arsyeshme.
Kadri Veseli, i cili drejton Partinë Demokratike të Kosovës, ditë më parë në një intervistë për KosovaPress, tha se në zgjedhjet që do të mbahen, qytetarët do të vendosin a duan të vazhdojnë rrugën e partneritetit të sigurt me aleatët perëndimorë apo duan që vendi të mbetet i izoluar dhe pa miq.
“Janë shqetësime të arsyeshme të miqve tanë të Kosovës me të cilët kemi arritur deri këtu lirinë dhe kemi arritur shtetin e pavarur dhe sovran, prandaj duhet të ecim bashkërisht. Ajo çka është më kryesore, nga këto zgjedhje që do të mbahen, do të jenë shumë vendimtare për drejtimin që do ta merr Kosova. A do të jetë një drejtim i partneritetit dhe mençurisë strategjike të Kosovës që së bashku me këtë partneritet ta mbrojmë këtë çka kemi arritur deri më tani dhe të ecim sigurt drejt integrimeve euro-atlantike, apo do të kalojmë në një aventurë, e cila ka shumë të panjohura që është konfrontim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë perëndimorë të Evropës që shihen si armiq. Andaj, është e rëndësishme dhe unë i kam takuar shumicën e ambasadorëve, të SHBA-së dhe vendeve perëndimore. Janë me Kosovën, janë për Kosovën dhe jam i sigurt që qytetarët do të dinë edhe në vendimmarrjen e vet t’i japin këtij drejtimi edhe këtij partneriteti, ta fuqizojmë edhe më shumë”, ka deklaruar ai.
Aktualisht, Kosova ka një kryeministër i cili javë më parë ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, dhe se partitë politike janë deklaruar për zgjedhje të jashtëzakonshme.
Kuvendi pritet të mbajë seancë javën që vjen dhe të votojë shpërndarjen e Parlamentit, në mënyrë që t’i hapet rrugë mbajtjes së zgjedhjeve.
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, thonë se taksën do ta kishin trajtuar në interes të funksionit të Kosovës, dhe jo të individit, mënyrë kjo që sipas tyre është përdorur nga qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
Arben Gashi thotë se taksa sot shihet në interes të kapitalizmit politik për Haradinajt apo partnerët e koalicionit qeverisës.
“Nuk mendoj që duhet të kemi dëmtim të interesave të Kosovës, si rezultat i një interesi të përfitimit momental individual që po vërehet nga partnerët e sotëm qeverisës. Kosova nuk duhet të rrezikohet nga instrumente të cilat janë të përkohshme sepse esenca e ekzistencës së BE-së, dhe vet esenca e ekzistencës së bashkëpunimit ndërkufitar, ndërshtetëror, ndër rajonal e të tjerë ka të bëjë me heqjen e barrierave të ndryshme, dhe ne do ta kemi të kushtëzuar heqjen e barrierës, me heqjen e barrierave nga Serbia, kjo do të jetë në reciproke…. Ajo (taksa) do të shihet në funksion të interesit të Kosovës dhe ne do ta kushtëzojmë një heqje të mundshme, apo suspendim të përkohshëm të mundshëm, me veprime që duhet t’i ndërmarrë Serbia, pra do të kemi reciprocitet dhe do të kemi prodhim të pasojave në interes të shtetit të Kosovës dhe jo individit”, thotë ai.
Ai shton se LDK ka qenë çdoherë për dialog, por që sipas tij në rrethanat aktuale në të cilat gjendet Kosova, dialogu nuk ka alternativë.
Edhe Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se në këto rrethana nuk mund të riniset dialogu me Serbinë.
Ai thotë se Vetëvendosje e ka mbështetur taksën e vendosur nga Qeveria Haradinaj, ani pse konsiderojnë që vendim më i drejtë do të ishte reciprociteti i plotë ekonomik, politik, tregtar.
“Kosova është në një proces zgjedhor, në fakt në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Republikë ne Kosovës, dhe nuk mund që të kërkohet që institucionet e Republikës së Kosovës të nisin apo rifillojnë dialogun me Serbinë, dhe kërkesën për heqjen e taksës. Së pari, edhe Gjykata Kushtetuese e ka konfirmuar që roli i presidentit në dialogun me Serbinë është vetëm këshillues dhe përgjegjësia kryesore për politiken e jashtme, në kuptim edhe të dialogut me Serbinë bie mbi ekzekutivin, pastaj ka shpjeguar që Kuvendi ka rol monitorues dhe mbikëqyrës. Në këtë kuptim ne nuk kemi qeveri, qeveria ka rënë, kjo qeveri nuk guxon dhe nuk ka mandate kushtetues që të qojë përpara as që të marrë as një vendim dhe as të përfaqësoje Republikën e Kosovës, sepse tashmë ka rënë, siç e thotë edhe Kushtetuta, Kuvendi shpërndahet me 22 gusht”, thotë ajo.
E analisti Ramush Tahiri thotë se në rrethanat aktuale në Kosovë, kur po pritet të mbahen zgjedhjet, do të jetë vështirë që një parti politike të kërkojë heqjen e taksës dhe të marrë vota.
“Partitë politike do të detyrohen që ta shpjegojnë suspendimin e taksës ose heqjen e taksës dhe për këtë të fitojnë vota. Zhurma që është krijuar në opinion do të jetë shumë vështirë që një parti politike me kërku heqjen e taksës dhe me marrë vota, dhe do të bëjnë kalkulime politike për me i fitu zgjedhjet dhe me fitu votën popullsite. Mirëpo suspendimi i taksës mund të bëhet edhe nga Parlamenti, mund të behte edhe nga Qeveria në këtë kohë sepse ai është i afatizuar dhe mund t’i lihet mundësi BE-së, vendeve të QUINT-it, ta përcjellin Serbinë a po e ndalë propagandën kundër Kosovës ose kundër pavarësisë së Kosovës, sepse pikërisht kjo është pika në të cilën kanë reaguar Serbia dhe institucionet, kundër Bashkimit Evropian dhe kundër vendeve të QUINT-it, dhe kundër kësaj letre që është dërguar”, thotë ai.
Ndërsa Artan Murati nga KDI, duke folur për deklaratën e vendeve të QUINT-it, thotë se ata ishin të qartë në kërkesën e tyre, që Kosova, pavarësisht a shkon në zgjedhje apo jo, duhet të ketë prioritet dialogun.
“Nëse do të vijë një qeveri e re, nëse do të ketë forca të reja në qeverisje, atëherë u takon atyre që më së miri ta bëjnë llogaritjen se cilat janë të mirat dhe të këqijat e taksës dhe të vinë deri në një vendim i cili sipas qeverisë e cila do ta shqyrtojë këtë çështje, mund të merret edhe vendimi meritor për taksën, i cili do të mund të hapte rrugë dialogut apo jo. Mirëpo kërkesa e vendeve të QUINT-it është e qartë që Kosova pavarësisht a shkon në zgjedhje apo jo ta ketë prioritet dialogun dhe duhet të mbetët e angazhuar në arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë”, thotë ai.
Dialogu Kosovë-Serbi është pezulluar pas vendimit që Qeveria e Kosovës ka marrë ndaj Serbisë, duke i vendosur taksë 100%. E kjo ka ardhur pas fushatës që shteti i Serbisë e ka bërë kundër Kosovës në fushën e politikës së jashtme.
Tutje, Serbia e ka kushtëzuar dialogun me heqje të taksës, ndërkohë që kryeministri Ramush Hradinaj ka deklaruar në vazhdimësi që taksa do të mbetët derisa Serbia të njoh pavarësinë e Kosovës./kp/Telegrafi/