Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog organizoi takim lamtumirës me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, me rastin e përfundimit të mandatit të tij rreth katër vjeçar.
Ndër ngjarjet më të rëndësishme për shtetin e Kosovës, gjatë kohës sa Szunyog ushtroi detyrën si ambasador, përmendi liberalizmin e vizave.
Ai u shpreh që ndihet i lehtësuar pas kësaj, për çka tha se e kishte ndjerë si barrë për vitet sa ai qëndroi në Kosovë.
Në fjalimin lamtumirës, Szunyog potencoi se udhëtimet turistike në Bashkimin Evropian janë vetëm një pjesë e shumë përfitimeve të tjera që ofron BE-ja.
“Një tjetër gjë që më mbajti vigjilent ishin pyetjet e vazhdueshme rreth liberalizimit të vizave. Kjo, miqtë dhe partnerët e mi të dashur, u ndje si një barrë e vërtetë, veçanërisht çdo herë që u ula me studentë dhe të rinj për të folur për të ardhmen evropiane të Kosovës. Kështu që jam i lehtësuar dhe mirënjohës që më në fund kaluam atë urë. Mbajtësit e pasaportës së Kosovës tani mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen. Dhe kaq, vetëm se – kjo është vetëm maja e ajsbergut. Udhëtimet turistike në Bashkimin Evropian janë vetëm një pjesë e shumë përfitimeve të tjera që ofron BE. Ekziston një anëtarësim – dhe një që është një zgjedhje strategjike. Por nuk mjafton ta thuash me zë të lartë, as të matim pulsin publik të popullsisë. Është e nevojshme të jetoni çdo ditë vlerat e BE-së, t’i sillni ato në korridoret e institucioneve tuaja dhe t’i ilustroni në rrugët tuaja…”.
“Sa herë më keni dëgjuar mua apo paraardhësit e mi që të bëjmë thirrje për përparim të Kosovës drejt BE-së, sepse e ardhmja e Kosovës është në BE? Ju jo vetëm që na keni dëgjuar ta përsërisim vazhdimisht, por BE-ja ka bashkangjitur edhe ndihmë financiare për të ecur me këtë ambicie”, tha Szunyog.
Përveç kësaj, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se e ardhmja evropiane është në duart tona dhe se ata do të inkurajojnë Kosovën drejt suksesit.
Ai theksoi se nuk ka asgjë që e ndalon Kosovën të jetojë çdo ditë ëndrrën e BE-së dhe se sipas tij asgjë nuk e pengon vendin tonë të bëjë ndryshimet dhe zgjedhjet e nevojshme për një shtet evropian.
“Ndoshta ju mendoni se jemi ne që nuk po ju trajtojmë me drejtësi, se jemi të ngadaltë dhe burokratikë. Ndoshta ju mund të gjeni edhe të tjerë për të drejtuar gishtin. Megjithatë, asnjë nga këto nuk duhet të jetë një justifikim. E ardhmja juaj evropiane është në duart tuaja dhe ne jemi këtu për t’ju inkurajuar drejt suksesit. Por kjo, të dashur miq dhe partnerë, është vetëm e juaja për ta arritur. Nuk ka asgjë që e ndalon Kosovën të jetojë çdo ditë ëndrrën e BE-së. Asgjë nuk ju pengon të bëni ndryshimet dhe zgjedhjet e nevojshme për një Kosovë evropiane. Disa nga këto zgjedhje mund të jenë të vështira, ose të pakëndshme, por ato duhet të bëhen. Kështu jam i bindur se kur të kthehem për një vizitë, do të shoh më shumë nga BE-ja pikërisht këtu në Kosovë”, u shpreh Szunyog.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti falënderoi ambasadorin Szunyog për vëmendjen, përpjekjen dhe kontributin e dhënë gjatë mandatit të tij.
Kryeministri Albin Kurti tha se Bashkimi Evropian përfaqëson të ardhmen e Kosovës dhe të familjes së kombeve që vendi ynë aspiron t’i bashkohet dhe të kontribuojë.
Kurti potencoi se gjatë mandatit të Szunyog, Kosova shënoi arritje të rëndësishme në rrugën e integrimit në BE, derisa si më historike përmendi aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në fund të vitit 2022 dhe liberalizimin e vizave në fillim të këtij viti.
Të pranishëm në këtë organizmin ishin disa personalitete të rëndësishme politike, duke përfshirë ambasadorin e SHBA-së, Jefrry Hovenier, ambasadorin e Italisë, De Riu atë të Gjermanisë e disa të tjerë.
Përveç këtyre, të pranishëm ishin edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shefja e grupit parlamentarë të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq e të tjerë.
Szuyog u emërua shef i zyrës së BE-së për Kosovën më 1 shtator 2020. Mandati i tij përfshin detyrën e ofrimit të këshillave dhe mbështetjes së BE-së në procesin politik dhe promovimin e koordinimit të përgjithshëm politik të Bashkimit në Kosovë. Para përfundimit të mandatit të tij tre vjeçar, Këshilli Evropian në korrik të vitit 2023 miratoi vendimin për zgjatjen e mandateve ekzistuese të tre Përfaqësuesve Specialë të BE-së (EUSR) për një vit, deri më 31 gusht 2024, duke përfshirë edhe atë të Szunyog. /Kp/Telegrafi/