Prokurori Special, Sylë Hoxha ka folur në lidhje me deklaratat e dhëna nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi në gjykimin e të akuzuarve në rastin e ‘Syrit të Popullit’.
I pyetur nëse do të hetojë deklaratat e dhëna nga presidenti Thaçi në gjykimin e të akuzuarve si anëtarë të ‘Syrit të Popullit’, se Albin Kurti e Glauk Konjufca qëndrojnë së bashku me Sadri Ramabajën prapa organizatës ‘Syri i Popullit’, Hoxha ka thënë se do të presin procesverbalin e seancës.
‘Unë e kam dëgjuar një deklarim të tillë, por ne duhet të presim procesverbalin si shënim zyrtar i seancës dhe pastaj do të analizojmë se çfarë mund të bëjmë në drejtim të zbardhjes së këtyre deklaratave dhe të shohim se a ka ndonjë element për të nisur hetim apo jo, pasi që deklaratat janë thanë para gjykatës dhe para auditoriumit të pranishëm”, ka thënë Hoxha për Kallxo.com.
Presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, deputeti Faton Topalli, e ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ishin personalitetet të cilat ishin dëshmitarët e sotëm në rastin e gjykimit të grupit të njohur “Syri i Popullit”, të cilët akuzohen për plagosjen e Azem Vllasit.
Presidenti Hashim Thaçi gjatë dëshmisë së tij kur ishte pyetur se kush janë themeluesit e “Syrit të Popullit”, ka përmendur emrat e Albin Kurtit, Sadri Ramabajës dhe Glauk Konjufcës.
Dëshminë i pari e filloi Xhavit Haliti, i cili është në mesin e shumë personave të cilët janë gjetur në një listë për likuidim, e cila pretendohet se është hartuar nga organizata “Syri i Popullit”.
Lidhur me organizatën “Syri i Popullit”, Haliti tha se ka dëgjuar nga gazetat, e kur u pyet nga prokurori Special, Sylë Hoxha nëse ishte kërcënuar ndonjëherë nga kjo organizatë, ai tha se disa herë kishte marrë kërcënime nga “Syri i Popullit”.
“Kam pas kërcënime disa herë. E fundit ka qenë një grup që ka dashtë me ba një atentat ndaj meje dhe fatmirësisht miqtë e mi e kanë zbulu por kërcënimet para luftës, gjatë dhe pas luftës kanë qenë të shumta nga të pakënaqurit me veten e tyre”, tha Haliti
Xhavit Haliti u pyet edhe nëse i bashkëngjitet ndjekjes penale ndaj të akuzuarve, lidhur me çka ai tha se është i pajtimit “që krimi të ndiqet penalisht”.
E njëri nga të akuzuarit Avni Llumnica, gjatë seancës, e pyeti Xhavit Halitin se a ka marrë pjesë në të kaluarën në demonstrata “për shtet me rend dhe ligj apo për kolltuk dhe një pagë të majme”.
“Unë s’kam qenë pjesëmarrës por organizator i protestave dhe kërkesat tona i dinë të gjithë dhe kanë qenë pasqyrim i kërkesave të popullit tonë”, i është përgjigjur Haliti.
Ndërsa lidhur me akuzat për tradhti, Xhavit Haliti ka thënë se sipas tij punën e ka bërë si duhet ndonëse çdo njëri ka të drejtë të jetë i pakënaqur, ai tha se nëse është e nevojshme ai është i gatshëm që të ulet dhe të ballafaqohet përballë Gjykatës lidhur me këto akuza.
Ndërsa dëshmia e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, solli tensione në sallë.
Kjo për shkak se kryeparlamentari Veseli gjatë dëshmisë së tij ju drejtua të akuzuarve me një varg akuzash.
Veseli e quajti këtë organizatë si “plehu i kombit” ndërsa e lidhi atë edhe me një parti politike të Kosovës.
“Ky është krahu i armatosur i Vetëvendosjes”, tha Veseli në gjykatë.
E në lidhje me letrat për të cilat Prokuroria pretendon se i ka shkruar Murat Jashari, Kadri Veseli ka thënë se ato letra nuk i ka shkruar Jashari pasi që sipas tij ai nuk di të shkruaj.
Për shkrimin e këtyre letrave ai e akuzoi Sadri Ramabajën.
“Murati s’din me shkru, krejt ia ka shkrujt Sadri (Ramabaja). Sadrinë asnjëherë se kam pa, shkrimet i ka shkru ai”, tha Veseli.
Si shenje revolte lidhur me deklarimin e Veselit, i lartpërmenduri, njëherësh njëri nga të akuzuarit Sadri Ramabaja nuk pranoi t’i bëjë pyetje Veselit, pasi që sipas tij me deklaratat e tij kryeparlamentari dëshmoi se ai është mbi Gjykatën.
“Nuk kam pyetje për dëshmitarin sepse u tregua që është mbi gjykatën”, tha Ramabaja.
I menjëhershëm ishte reagimi i Veselit, i cili ju kundërpërgjigj kështu:
“Sadri Ramabaja ka dalë mbi gjykatën dhe shtetin duke e marrë drejtësinë në duar”, tha ai.
Veseli gjatë kohës sa po dëshmonte disa herë është kthyer nga të akuzuarit dhe ka kërkuar që t’i njoh personalisht, duke ua përmendur emrat dhe duke kërkuar që të dinte se “cili është cili”.
Ai madje kërkoi llogari edhe nga Murat Jashari, të cilin e pyeti se pse emri i tij ishte i përfshirë në listën e organizatës “Syri i Popullit” për likuidim.
Në një moment përderisa po dëshmonte Kadri Veseli, i akuzuari Avni Llumnica u ngrit në këmbë dhe iu drejtua Veselit me fjalët, “ti nuk je kryetari i Parlamentit tim”.
Ndërsa kundërpërgjigja e Veselit ishte, “more ti se njeh as parlamentin, ti se njeh as shtetin, i pa besë “.
Me ç’rast eskaloi situata dhe u desh intervenimi i Policisë për shkak të tensioneve mes të akuzuarit Avni Llumnica dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit.
E dëshmitari tjetër Faton Topalli kur është pyetur nga prokurori Special se kur ka dëgjuar për herë të parë për organizatën “Syri i Popullit”, ai ka thënë se për organizatën në fjalë për herë të parë ka dëgjuar nga kryetari I parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli dhe se kishte menduar se bëhej fjalë për ndonjë kompani të sigurimit fizik.
“Kam dëgjuar nga Kadri Veseli për organizatën. Në objekt të Kuvendit kam pritur një delegacion të Kuvendit dhe gjatë një momenti ka ardhur Kadri Veseli dhe më ka pyetur se çfarë bëni ju të Vetëvendosjes dhe e kam pyetur se çfarë, ai më ka thanë për ‘Syrin e Popullit’ dhe unë pa ironi kam menduar se është fjala për një organizatë të sigurimit fizik”, tha Topalli në Gjykatë.
Ai tregoi edhe për një takim që kishte pasur në një restorant në Prishtinë, në të cilin vend tha se rastësisht e kishte takuar edhe Sadri Ramabajën në shoqëri të dy personave për të cilët i ishte thënë se janë dy aktivistë mërgimtarë.
“Unë kam lënë një takim me Max Bryn dhe e kam pyetur se ku dëshiron të takohemi dhe e kemi lënë aty dhe pasi kemi porositur e kam pa Sadriun (Ramabajën) së bashku me dy persona, e kam përshëndet dhe m’i ka prezantuar dy mërgimtarë që kanë qenë aty si aktivistë mërgimtarë dhe pasi jemi përshëndetur- më janë prezantuar por s’i kam mbajtur mend- pastaj nga mediat e kam kuptuar se për kënd bëhet fjalë”, tha Topalli.
Ai gjatë dëshmisë së tij foli edhe për përshtypjet e tij që kishte për ish-baskë partiakun e tij, tashmë të akuzuarin Sadri Ramabajën.
“Për aq sa unë e kam kuptuar për deklarimet e tij në Lëvizjen Vetëvendosje ka qenë njeri kritik dhe reformator prandaj dhe jam habitur shumë për të gjitha që kanë ndodhur sepse unë Sadriun e njoh si njeri të urtë dhe të dijshëm dhe aktivist punëtor”, ka thënë Faton Topalli.
Në gjykimin për plagosjen e Azem Vllasit, në mesin e dëshmitarëve ishte edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
Thaçi është një nga emrat të cilët u gjendën në listën e pretenduar të kësaj organizate për likuidim, e cila u zbulua pas plagosjes së avokatit Azem Vllasi në mars të vitit të kaluar.
Presidenti Thaçi, gjatë dëshmisë së tij i ka përmendur dy drejtuesit e Vetëvendosjes, Albin Kurtin e Glauk Konjufcën, se qëndrojnë prapa organizatës ‘Syri i Popullit’.
Thaçi gjatë dëshmisë së tij deklaroi se ka qenë i kërcënuar nga organizata “Syri i Popullit”.
“Kam pasur indikacione dhe informacione prej autoriteteve, apo miqve të Kosovës që kanë ardhur nga Serbia, kam pasur informim për kanosje ndërsa kanosje të vërtetë kam pasur vetëm nga ‘Syri i Popullit’”, tha ai.
Lidhur me kanosjen që tha se i ishte bërë nga kjo organizatë, Thaçi tha se ai dhe familja e tij e kanë përjetuar rëndë.
“E kam përjetuar rëndë unë dhe familja dhe në të njëjtën kohë janë marrë masa nga shteti”, deklaroi Thaçi.
Lidhur me faktin nëse I njihte dy të akuzuarit Murat Jasharin e Sadri Ramabajën, Thaçi tha se Murat Jasharin nuk e ka njohur ndërsa Sadri Ramabajën po, por që tha se ai personalisht nuk ka pasur asnjëherë ndonjë mosmarrëveshje me të.
“E njoh Sadri Ramabajën, nga ana ime nuk kam pasur ndonjë mosmarrëveshje me të, nëse ai ka pasur është çështje e tij, por nga shkrimet e tij e kam parë se ka pozicion armiqësor me ne”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka folur edhe për listën me pyetje e cila pretendohet se i ishte dërguar atij nga ana e Murat Jasharit.
Pyetjeve tha se nuk u ishte përgjigjur sepse nga ajo që kishte dëgjuar kishte kuptuar se Murat Jashari nuk di të shkruaj dhe se më pas kishte kuptuar se pas kësaj organizate qëndronin pjesëtar të partisë “Vetëvendosje”, si Albin Kurti, Glauk Konjufca e Sadri Ramabaja.
“Nuk i kam kthyer sepse kam pasur informacione nga miq që e njohin se ai nuk din të shkruajë, por pastaj kam pranuar informacione se pas kësaj organizate kriminale qëndron Sadri Ramabaja, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti”, deklaroi Thaçi.
Ai tha se kërcënimet ndaj personaliteteve të njohura të vendit kanë qenë mjaftë shqetësuese dhe se sipas tij askush nuk ka të drejtë ta marrë në dorë rendin dhe ligjin.
“Askush nuk ka të drejtë të marrë në dorë rendin dhe ligjin dhe për mua ka qenë shqetësues kërcënimi dhe paralajmërimi për vrasje nga ata që e kanë shpallur tradhtarë edhe Ibrahim Rugovën, Bujar Bukoshin, Isa Mustafën të cilin edhe e kanë sulmuar në shtëpinë dhe familjen e tij kur ka qenë kryëministër”, tha Thaçi.
Duhet të theksojmë se Gjykata ka ndaluar fotografimin dhe xhirimin në kohën sa Thaçi jepte dëshminë.
E më pas në pjesën e dytë të dëshmisë Thaçi ka kërkuar që seanca të mbyllet me arsyetimin se nëse seanca do të jetë e mbyllur ai do të mund të përmend edhe emra të tjerë.
“…kërkova që seanca të jetë e mbyllur pasi që nuk dua që të dalin sekrete shtetërore, sikur të ishte seanca e mbyllur do të përmendja disa raste të tjera. Unë jam intervistuar dhe gjithçka që është dashtë për të thënë e kam thënë. Nëse do të ishte e mbyllur do të rëndohej situata për të akuzuarit, mua më vjen keq për gjërat që kanë ndodh. Unë e theksoj që është rrethanë lehtësues që seanca është publike se po të ishte e mbyllur do të ishte situatë rënduese, veçanërisht për të akuzuarin Sadri Ramabaja”, ka deklaruar Thaçi.
Dëshminë e tij gjatë seancës së stome e ka dhënë edhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi i cili ka deklaruar se ai asnjëherë nuk është kërcënuar drejtpërdrejtë nga organizata “Syri i Popullit”, dhe se lidhur me këtë organizatë kishte dëgjuar për herë të parë nga organet e drejtësisë, pasi i ishte thënë se ka qenë në listën për likuidim.
“Unë nuk jam i njoftuar me këto detaje, për këtë organizatë dhe këtë listë jam njoftuar që kam qenë pjesë e saj, e ndonjëherë edhe me të lavdu dikush pa meritë nuk e ndien veten mirë e le më të jesh në këtë listë”, ka deklaruar Kuçi. /Kallxo.com/