Site icon Telegrafi

Sypatremburit e Shqipërisë që dhanë jetën për Kosovën

Në gusht 1998, në Krumë të Hasit ra lajmi që dy shqiptarë ishin vrarë në vijën kufitare mes Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë.

Ata ishin Besmir Azem Brati dhe Naim Hajdar Qema.

Njëri burri e tjetri vëllai i Afërdita Bratit, që edhe sot e kujton në detaje momentin kur bashkëshortin e saj e pa për herë të fundit.

“Në mëngjes sa ka dal prej shpije unë atë e kam parë për herë të fundit, e kanë thirr shtabi UÇK-së dhe më ka thënë që unë po iki. Nuk e kam menduar ndonjëherë që ajo kishte me qenë hera e fundit që e shoh”, ka thënë gruaja e Besmir Bratit, Afërdita Brati.

Në fakt Besmir Brati, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ishte bashkuar kohë më parë.

Ai ndihmonte guerilen që po luftonte për çlirim, herë në front e herë në logjistikë.

Bashkë me mikun e tij Naim Qemën 20-vjeçar, ata u vranë në të njëjtën ditë në një pritë që serbët kishin organizuar në Lipovec të Godenit.

Nuk u dorëzuan. Luftuan me aq sa kishin fuqi deri sa ranë për të mos vdekur kurrë e kujtuar gjithmonë, si dëshmorë të atdheut.

Trupat e tyre u gjetën tek pasi lufta në Kosovë mori fund.

“Trupin e atyre i kemi gjetur pasi u çlirua Kosova. Morëm vesh se ka pasur shumë luftime, me predha me granata, në atë prit kishin qenë vëllai im, burri, ka qenë vetë i katërti në Lipovec, të Godenit. Burri më ka lënë me tri vajza, 3 vjeçe, 2 vjeçe dhe 1 vjeçe, kanë qenë të vogla. Vajza e madhe e kujton babin, ajo edhe është martuar. Shumë e vështirë ka qenë një nënë me tri vajza të vogla, pa ndihmë e pa përkrahje, dhimbja për mu ka qenë e dyfishtë, aty më është vra edhe vëllai ai ka qenë 20-vjeç” ka shtuar Brati.

Besimir Brati e Naim Qema, janë vetëm dy nga dhjetëra dëshmorë të UÇK-së, e që vijnë nga Kruma e Hasit të Shqipërisë.

Ndihma e hasjanëve për Ushtrinë Çlirimtare ishte e pakursyer, trimëria e tyre ishte e padëgjuar.

Në mes këtyre trimash ishte edhe Xhevat Lleshi.

28-vjeçari qe ndër të parët që ndihmonte ca djem Kosove që po ëndërronin lirinë.

Betim kishte dhënë për dy gjëra. Luftën për Kosovën s’do e ndalte e në dorë armikut për së gjalli s’do i binte kurrë.

Kështu edhe bëri. Në momentin që kishte rënë në mina e trupi i ishte dëmtuar rëndë, zgjodhi një rrugë për të mos u dorëzuar.

“Tana herët e mbajke në xhep një fishek të vogël në pantanolla. E pyetshim pse Xhevat e mban këtë fishek, thojke kur të bij në prit me shkije, thojke ma gjejnë fishekun a dinë gjatë ngutjes, për mos mem kap shkijet gjallë thojke e ruj njëfishet në xhep të vogël edhe ia vendosi vetit këtu thojke. E me të vërtetë ashtu qëlloj”, ka thënë kushëriri i Xhevat Lleshit, Avdi Lleshi.

Gushit i vitit 1998 aq sa ishte i rënë për Kosovën ishte edhe për Hasin, rajon në Veri të Shqipërisë.

Serbët kishin kuptuar tashmë që UÇK-ja po mbështetej pakushte, kryesisht nga shqiptarët e Shqipërisë së Veriut.

I tillë ishte edhe Adem Ukë Mazreku nga Vranishta e Hasit.

“Vëllai jem Adem Mazreku ka pasur një urrejtje të madhe për serbët, i cili duke u frymëzuar nga lufta që u bë masakra me civilët në Kosovë, ai u frymëzua për luftë, e pa nevojën që t’i bashkëngjitet luftës duke furnizuar bazat e UCK-së me armatim. Kishte urrejtje për serbët dhe ai gjithnjë e më shumë u aktivizua në luftë, nga patriotizmi që kishte, kishte edhe një shpirt luftëtari që i vogël kur dëgjonte për luftërat si ajo nacional çlirimtare, u frymëzonte shumë, më shumë u frymëzua kur u bë masakra që u dëgjonte për to në televizion”, ka thënë vëllai i Adem Mazrekut.

Mzreku i frymëzuar për luftë më 17 gusht po ndihmonte ushtarët e UCK-së për të futur armë në Kosovë.

Ai bashkë me luftëtarët e tjerë ranë në një pritë tek vendi i quajtur Varri i Mirë.

Ushtria serbe ishte në dijeni se ky djalë i ri ishte nga Vranishta e Hasit, andaj trupin e tij e lidhën në helikopter e me të bënë xhiro mbi Prizren.

Mesazhi ishte që kushdo që ndihmonte kosovarët do ta kishin një fat të tillë.

Pak nga kjo histori din edhe djali i vogël i Adem Mazrekut, Arifi.

“Historia që unë vazhdimisht kam dëgju është se ai ka pasur vullnet shumë të madh për luftën e Kosovës. Edhe s’ma kanë tregu mënyrën se si është vrarë, se njerëzve iu vjen keq me ma kujtu një gjë që edhe unë u nijsha keq se të rritesh pa njërin prind është diçka shumë e madhe”, ka thënë Arifi.

Histori trimërish të tilla dëgjon nga do që shkon nëpër Has të Shqipërisë.

Djemë të ri që lanë familjet e tyre e deshën vetëm një gjë. Të luftonin për çlirimin e Kosovës.

Ky që po e shihni në këto pamje është Sefedin Mulaj.

Është i biri i Hamdi Mulajt, një burri trim nga Hasi i Shqipërisë, që lavdishëm ra në altarin e lirisë.

“Unë jam ndje keq se kam mungesën e prindit, por jam krenar që ai është hero, dëshmor dhe ndihem shumë mirë që ai ka vdekur për liri. Ka qenë një trim i madh, si më tregojnë një luftëtar trim. Unë kam paraqitjen e babit, por nuk kam ndonjë veçanti ndaj tij, po rëndësi ka që unë jam i tij dhe jam krenar për këtë. Unë jam shumë i lidhur me Kosovën, punoj atje me një firmë të materialeve ndërtimore. Çdo herë që kaloj asaj rruge shoh përmendoren e babit dhe natyrisht më kujton atë”, ka thënë Sefedin Mulaj.

Dëshmorët janë pasuria më e çmuar e një kombi, por të paharruar mbesin edhe ata që ndihmojnë një luftë çlirimtare.

Të tillë që ndihmuan UÇK-në në Shqipëri ka shumë.

Në mes tyre është edhe familja e Lum Pogës, shtëpia e të cilit në kohë lufte ishte shndërruar në një bazë sekrete të UÇK-së.

Në këtë dhomë ishin vendosur themelet e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

“Kur vinin te shpija këtu emrat nuk ua dinim, ja daja ja plaku ja studenti. Ishte para 97-tës, pa u thye depot ishte lëvizja e fillimit të parë edhe u takuam më pas. Vjen Azem Syla, i thoshim daja i madh, Plaku, Hashimit edhe atij student i thonim po dikur krejt vonë morëm vesh që e kishte emrin e tillë, Kadri Veseli e të tjerë,. Këtu kanë nejt ata në fillimet e para derisa u hap rrethi edhe vinin me makina të vogla 5,6 armë dhe i dërgonim në Kishaj te Lah Lleshi dhe i dërgonim andej”, ka thënë Lum Poga.

Kruma tashmë ka rënë në një qetësi dimërore, por as bora e bardhë e malet e larta, kontributin e tyre për luftën e UÇK-së, nuk e fshehin dot.

“Unë jam Ismajl Dauti, prej fshatit Golaj, i martum me 7 fëmijë, 6 çuna e 1 gocë. Kohën kur më ka bo thirrje Sokoli se a mundesh me punu me ne, i kam thanë i kam fëmijët e vegjël edhe kam frikë nga burgu”, ka thënë veterani i UÇK-së, Ismajl Dauti.

Ismajl Dauti 25 vjet pas luftës, ka për krenari të tregoj se i kishte ndihmuar një prej njerëzve më të rëndësishëm të UÇK-së, Luan Haradinajt.

“Kam fillu me bajt armatim me shumicë e çojsha të Alush Gradica, rahmet past se ka vdekë, në prag të vitit të ri ka vdekë, e çojshim atje me Luan Haradinajn. Kam qenë shofer i tij. E kam pas kamionin të maskuar në atë formë sa rreth e rreth ka pas armatim edhe në dysheme, gjoja se janë tu shit gjëra ndihmash. U ndalsha në pazar, se u kanë pazari këtu edhe e hapsha veç rrijsha pak kohë sa më hup gjurmë, dikur iksha e çojsha të Alush Gradica, mandej, Luani e barte armatimin vet, se u kanë shumë i fuqishëm”, ka shtuar Dauri.

Rrëfim po kaq emocional ka edhe Bedri Cahani.

“Bedri Cahani nga fshati Cahan, nga fshati Cahan, tashti banojë ne Krumë, jam 52-vjeç. Kam qenë pjesë e UÇK-së qysh në ’97-tën dhe deri në përfundim të luftës që ka qenë me operacionin shigjeta”, ka thënë Cahani.

Ai bashkë me shumë të tjerë ushtarë të UÇK-së, detyrë primare kishte bartjen e armëve e shoqërimin e personelit të Ushtrisë Çlirimtare, deri në territorin e Kosovës.

“Maksimumi i armatimit që ne kemi kaluar për një natë ka qenë 147 kuaj edhe gomarë që kemi kaluar për një natë shto këtu plus ushtarët. ne e vrojtofshim kufirin 2-3 ditë përpara ne si grup që ishim përgjegjësa Qamil Cahani, Agon Cahani e Gëzim Cahani edhe Hamdia, Hamdi Cahani ka qenë më i vjetër ndër ne. Dilshim në vrojtim përpara, kalojshim kufirin 2/3 ditë përpara dilshim vrojtim e shifshim që nuk ka lëvizje të ushtrisë serbe edhe u organizojshim në mënyrë të përshtatshme dhe e kalojshim armatimin”, ka shtuar Cahani.

Do duhej një rrëfim edhe më i gjatë për ta përmbledhur kontributin madhështor të shqiptarëve të Shqipërisë për çlirimin e Kosovës.

Nuk ka gjë me të shenjtë se jeta, e atë për Kosovën e dhanë hiç më pak se 31 persona nga Shqipëria e që sot janë dëshmorë jo vetëm të Kosovës, por të atdheut.

Misionin e arritën deri në një pikë, Kosovën e çliruan.

“Krejt ata që kanë rënë e janë vra kanë bo këto për një qëllim për një komb, që Kosova edhe Shqipëria të jenë një. Ata s’kanë luftuar që Kosova të jetë e ndarë prej Shqipërisë”, ka treguar veterani i UÇK-së. /Dukagjini/

Exit mobile version