Site icon Telegrafi

Synohet ngritja e 12 mini-bibliotekave në 12 lagje të Prishtinës

A jeni të mendimit se lagja juaj e meriton një kënd të librit? A e dini se shkencërisht ekspozimi i librit ndikon direkt në nxitjen e lexueshmërisë, sidomos te fëmijët?

Për këto dhe shumë arsye të tjera, ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës kanë filluar punën për ndërtimin e mini-bibliotekave në 12 lagje të Prishtinës, me përkrahjen e Forumit për Iniciativë Qytetare në kuadër të projektit “Sign up for impact” të Bashkimit Evropian.

Lagjet e targetuara për këtë fazë të projektit janë: Dardania, Ulpiana, Bregu i Diellit, Qafa, Lagja e Spitalit, Arbëria, lagjet përreth Sheshit “Adem Jashari”, lagjet përreth Kampusit Universitar, Taukbahçe, lagja e Muhaxherëve, Hajvalia dhe Rruga B.

Mini-bibliotekat do të jenë të qasshme 24 orë në shtatë ditës të javës dhe do të funksionojnë sipas konceptit “sill një libër – merr një tjetër” si dhe për huazim të librave.

Raftet e mini-bibliotekave do të ndahen në libra për të rritur dhe libra për fëmijë.

Pas ndërtimit të mini-bibliotekave, të njëjtat do të mbesin pronë e lagjeve dhe nën kujdesin e banorëve të lagjeve.

Por, ndërtimi i mini-bibliotekave kushtëzohet nga participimi i banorëve të lagjeve dhe bizneseve lokale.

Prandaj, është bërë  për përkrahje të projektit me mjete financiare apo me libra.

Çdo kontribut financiar dyfishohet në raport 1 me 1 nga fondet e Bashkimit Evropian. Afati përfundimtar për participim është data 31 gusht

Janë 30 vullnetarë që tashmë kanë filluar punën në terren, ku banorët apo bizneset mund t’i kontaktojnë dhe ata menjëherë do të vizitojnë për të pranuar kontributin.

Të gjithë participantët që pranojnë publikimin e emrit të vet apo biznesit përkatës – do ta kenë emrin apo logon e vendosur në mini-bibliotekë. /kp/Telegrafi/

Exit mobile version