Telegrafi

Synimi i Ponte Prizrenit është së paku gjysmëfinalja

(Foto: Facebook/KB” PONTE - Prizreni”)

Ndeshjet çerekfinale në “Osa Termosistem Final 8” po priten me interesim të madh dhe sfidat pritet të jenë shumë interesante, duke marrë parasysh cilësinë e skuadrave.

Pikërisht ndeshja e parë çerekfinale është ndërmjet Pejës dhe Ponte Prizrenit. Trajneri i Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati, ka folur për synimet e skuadrës së tij në garat e Kupës.

“Synimet tona janë që të jemi së paku në gjysmëfinale, e më pastaj do të shohim. Ndeshjet e Kupës janë shumë të rëndësishme për dhe do të japim maksimumin tonë. Shpresojmë të shohim ndeshje të bukura”, është shprehur Rifati për faqen zyrtare të FBK-së.

Takimi Peja-Ponte Prizren zhvillohet të martën nga ora 16:30 në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.

Kjo është hera e dytë radhazi që Final 8 i Kupës zhvillohet në Rahovec. Edicionin e kaluar organizimi ishte për mrekulli, derisa organizatorët premtojnë se kësaj radhe do të jetë edhe më spektakolar.

Final 8 i Kupës do të organizohet nga 11 deri më 15 shkurt, ku pritet të ketë ndeshje shumë interesante dhe atmosferë të jashtëzakonshme në Rahovec.