Site icon Telegrafi

Synimet e Naser Sahitit në krye të Universitetit të Prishtinës

Përmirësimi i cilësisë së studimeve, rritja e kërkimeve shkencore, krijimi i infrastrukturës së mjaftueshme e ndërkombëtarizimi i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, janë disa nga synimet e rektorit të ri të UP-së Naser Sahiti.

Rektori i sapozgjedhur në krye të UP-së në një intervistë për KosovaPress ka folur për planet e tij në detyrën e re, sfidat dhe problemet në UP, e zgjedhjen e prorektorëve.

Organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” Naser Sahiti, e sheh si sfidën e parë me të cilën po përballet në detyrën e re.

Megjithatë ai thotë se deri më tani gjithçka është duke shkruar në rregull dhe se të gjitha orët e humbura për vitin e parë që ende nuk kanë filluar procesin mësimor do të zëvendësohen.

“Deri më tani ka ekzistuar një vendim i senatit bazuar në të cilin mësimi është dashur të organizohet në mënyrë të kombinuar, pjesa teorike online ndërsa pjesa laboratorike, klinike, ushtrimet në fakultetin e Arteve me prezencë fizike të studentëve. Ndërsa, nga mbledhja e fundit e senatit ne e kemi shtuar edhe një dispozitë në vendim brenda secilës kemi lejuar që njësitë akademike aty ku e vlerësojnë se është e mundshme të kenë mundësi të organizojnë edhe pjesën teorike të mësimit me prezencë fizike të studentëve… Opsioni më i mirë është nëse kushtet ekzistojnë, nëse ekziston siguri që nuk do të rrezikohet shëndeti i studentëve dhe stafit akademik, nëse përfillen të gjithë rekomandimet e IKShPK-së atëherë opsioni më i mirë definitivisht është me prezencë fizike të studentëve”, thotë ai.

Si prioritet të punës së tij, rektori thotë se e ka ngritjen e cilësisë së studimeve në Universitetin e Prishtinës, derisa tregon se si do ta arrijë një gjë të tillë.

“Mundësitë për veprimet që ndikojnë në përmirësim të cilësisë janë të shumta për shkak të natyrës komplekse të vet procesit mësimor. Disa prej atyre mundësive janë për shembull rritja e pjesëmarrjes së studentëve nëpër punë praktike në institucione, në kompani private, ato ndikojnë drejtpërdrejtë në ngritje të cilësisë së studimeve. Pastaj, mundësi tjetër është përmirësimi i procesit të mësimdhënies nga ana e stafit akademik, mundësi tjetër është riformimi i kurrikulave ekzistuese në mënyrë që ato ta reflektojnë gjendjen në terren, në mënyrë që ato t’i kenë parasysh kërkesat e tregut. Këto janë disa prej atyre që mund të ndërmerren sigurisht ka edhe të tjera, që ndikojnë në përmirësimin e cilësisë. Të gjitha këto janë në programin tim të rektorit dhe të cilat unë do t’i adresoj brenda mandatit tim, ashtu që brenda kësaj periudhe të shënojmë një progres në ngritjen e cilësisë së studimeve”, thotë rektori.

Në konkursin e hapur nga UP për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2020/2021 është vërejtur një rënie e interesimit për regjistrim të studimeve në këtë universitet, e sidomos në disa programe të Fakultetit Teknik.

Rektori Sahiti thotë se kjo rënie e interesimit ka rënë për disa arsye, derisa thekson se programin e punës së tij e ka adresimin e një çështje të tillë.

“Është një dukuri që e kemi vërejtur jo vetëm këtë vit, por mund të them tri, katër vitet e fundit, natyrisht edhe në drejtimet teknike. Arsyet janë të shumta, një prej arsyeve të shumta është edhe vet nataliteti më i ulët që është evident viteve të fundit, pastaj edhe migracioni, tash ndoshta këtë vit edhe pandemia ka pasur ndonjë efekt. Se si të parandalohet diçka e tillë, si të shtohet atraktiviteti për të studiuar në drejtimet teknike, ajo çështje mbetet, por me të cilën ne jemi duke u marrë, një prej atyre veprimeve do të jetë hartimi i studimeve përkatëse lidhur me nevojat e tregut për kuadro të profileve të caktuar. Ne vlerësojmë që pas studimeve të tilla studentët do ta kenë të qartë se çka kërkohet në tregun e punës, do ta dinë qysh në momentin e regjistrimit se si do të gjinden pas diplomimit”, thotë ai.

Si probleme të cilat synon t’i adresojë gjatë mandatit të tij është infrastruktura e pamjaftueshme, problemet në fushën e kërkimeve shkencore e ndërkombëtarizimin e UP-së.

“Problemet janë të natyrave të ndryshme, të gjitha problemet lidhen pak a shumë mr orientimet ku ne synojmë ta shtrijmë aktivitetin tonë qoftë në procesin e mësimdhënies, qoftë në procesin e cilësisë së studimeve. Një problem në vete është infrastruktura e pamjaftueshme për procesin mësimor, pastaj problem mbetet fusha e kërkimeve shkencore, ende nuk është në nivelin e dëshiruar, pra ashtu sic i takon një universiteti të mirëfilltë dhe sigurisht që synojmë ta ngrisim aktivitetin e stafit akademik. Po ashtu, edhe ndërkombëtarizimi i UP i cili nuk është në masën e dëshiruar, ne kemi në plan që në disa profile të caktuara të fillojmë ofrimin e programeve në gjuhën angleze, në pak njësi akademike tashmë ka diçka të tillë po ende janë pak dhe besojmë që pastaj nëpërmjet atyre programeve në gjuhën angleze ne do të kemi mundësi që të pranojmë edhe studentë ndërkombëtarë”, thotë Sahiti.

Rektori i UP-së Naser Sahiti, thotë se deri në mesin e javës së ardhshme pritet të votohen nga Këshilli Drejtues prorektorët e propozuar nga ai.

Derisa nuk ka dashur të komentojë rreth asaj se në mbledhjen e fundit Këshilli Drejtues i UP-së kishte votuar vetëm prorektoren Mimoza Ibrani, ndërkaq nuk kishte aprovuar katër prorektorët e tjerë të propozuar nga ai.

“Është në dispozicion një prorektore nga 5 sa janë propozuar, ata si emra kanë dal në senat, nuk kanë pasur kontestime, përkundrazi. Ndërsa, Këshilli Drejtues përpos asaj prorektores …., të tjerët kanë shprehur nevojën për të pasur konsultime shtesë dhe në bashkëpunim kemi thënë okej nëse keni nevojë do t’iu ofrohet ajo mundësi, ata janë që vendosin. Por, tash përfundimisht kemi rënë dakord që deri kah mesi i javës së ardhshme të adresohet edhe kjo çështje dhe të emërohen edhe katër prorektorët e tjerë”, thotë ai.

Rektori i ri i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” Naser Sahiti, e ka zëvendësuar rektorin e deritanishëm Marjan Dema./kp/Telegrafi/

Exit mobile version