Site icon Telegrafi

Sylvinho: Me Brojën provuam zgjidhje të reja, jam i kënaqur me atmosferën e lojtarëve

Për përzgjedhësin Sylvinho, Kombëtarja bëri një paraqitje shumë të mirë në miqësoren me Suedinë, ndërsa shprehu trishtim që nuk mundën ta përkthenin edhe në rezultat lojën e bërë.

Me të përfunduar ndeshja, tekniku i kuqezinjve u shpreh se ekipi ende nuk është përshtatur siç duhet me njëri-tjetrin, por shtoi se rëndësi ka që në ndryshim nga ndeshja me Kilin, ndaj Suedisë patën një paraqitje pozitive.

“Lojtarët janë pak në ankth është normale sepse vetëm 23 prej tyre do shkojnë në Europian. Kemi bërë ndeshje shumë të mira në kualifikuese aty e treguam veten.”

“Kjo skuadër është akoma e re, flasim për lojtarë si këta dhe Mitaj që ende nuk janë përshtatur me njëri tjetrin. Edhe Muçi mund të kishte bërë më shumë si sulmues. Pastaj kemi edhe lojtarë të rinj si Muçolli dhe Hoxha që ende nuk janë përshtatur, por mund të japin shumë në të ardhmen”, ka thënë fillimisht Sylvinho.

Lexo po ashtu Shqipëria luan mirë në Stockholm, por mposhtet minimalisht nga Suedia

“Ky është momenti për të vlerësuar lojtarët. Sigurisht që rezultati ka rëndësi, por nuk është më i rëndësishmi. Në krahasim me Kilin kishim një rritje në lojë dhe bëmë shumë më mirë, kjo ka rëndësi”.

“Provuam diçka ndryshe për të arritur te porta e te goli, patëm shpejtësinë e Brojës dhe një penallti të mohuar. Është e vështirë të luash pa VAR, por sigurisht që patëm shpejtësinë dhe lojën e Brojës”, u shpreh ai.

Në fund, Sylvinho foli edhe për atmosferën në kampin kuqezi para fillimit të Euro 2024.

“Jam shumë i kënaqur me atmosferën e lojtarëve. Ka një konkurrencë të shëndetshme, unë e di se çfarë mendojnë ata. Tani do kthehen në klubet e tyre dhe do të vazhdojnë me punën, por atmosfera mes tyre është vërtetë shumë e mirë”, përfundoi ai./Telegrafi/

Exit mobile version