Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla i ka dhënë ultimatum vrasësit të tre personave në Gllogjan të Deçanit që të dorëzohet sa më shpejtë në Polici.
Sveçla në një konferencë për media tha se kanë vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet që të zbulojnë këtë rast, transmeton Telegrafi.
“Me të marrë lajmin jam kthyer në Kosovë dhe jam nisur drejt Deçanit për të takuar gjithë strukturat policore, por edhe prokurorët e rastit dhe për të shprehur gatishmërinë tonë që të vëmë në funksion gjithë kapacitetet e shtetit në zbulimin e këtij rasti, dhe lehtësimin e dhimbjeve për familjarët. Dua të bëjë ftesë të gjithë qytetarëve që për çfardo informacioni t’i drejtohen Policisë dhe rasti të zgjidhet sa më parë”, deklaroi ai, përcjell Telegrafi.
Ministri tha se Policia është duke u dakorduar edhe me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.
“Tashmë kemi informacione të ndryshme, të cilat policia nën direktivat e prokurorisë është duke i trajtuar. Janë dukë u trajtuar disa pista. Po ashtu, i bëj ultimatum vrasësit të dorëzohet, për shkak se për çdo ditë ai rëndon të tjerët, kushdo që ndihmon vrasësit implikohet me vepër penale. Sa më parë që dorëzohet aq më mirë për rrethin e tij. Unë mund të garantoj se jemi të vendosur që kapacitetet tona shtetërorë janë në dispozicion të zbulimit të rastit. Policia po koordinohet edhe me AKI”, u shpreh ai.
Ndryshe, mbrëmë rreth orës 19:00 është sulmuar me armë zjarri një autobus në Gllogjan të Deçanit, ku të vrarë kanë mbetur tre persona, shoferi dhe dy nxënës.
Autori i krimit ka qenë i maskuar, ndërkohë Policia është në kërkim të tij.
Policia përmes raportit 24 orësh, ka njoftuar se autobusi është sulmuar me armë zjarri që është AK-47. /Telegrafi/