Site icon Telegrafi

Sveçla takon gjeneralin e NATO-s, e njofton me provat e sulmit në Banjskë të Zveçanit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka zhvilluar takim me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, admiralin Stuart B. Munsch.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka bërë të ditur se admiralin Munsch e ka njoftuar për provat që janë duke i mbledhur për sulmin e 24 shtatorit.

Po ashtu ka thënë se admiralin Munsch e ka falënderuar për ngritjen e kapaciteteve veçanërisht pas sulmit terrorist të organizuar dhe mbështetur logjistikisht dhe financiarisht nga Serbia ndaj Kosovës më 24 shtator.

“E njoftova Admiralin Munsch që institucionet tona të sigurisë janë duke punuar intenzivisht në analizimin e të gjitha provave të sulmit terrorist, të cilat deri më tash dëshmojnë qartë për përfshirjen e Serbisë dhe autoriteteve të saj në organizimin operacional të këtij sulmi”, tha Sveçla.

Më tej ka theksuar se Republika e Kosovës ka qenë dhe vazhdon të jetë vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor duke qenë thellësisht me vlerat perëndimore.

“Bashkëpunimi mes institucioneve tona të sigurisë, NATO-s dhe partnerëve tanë është i ngushtë dhe do të vazhdojë të jetë i tillë gjithmonë”, shkroi Sveçla.

Ndryshe, të hënën Bashkimi Evropian përmes një deklarate ka thënë se pret nga Serbia jo vetëm bashkëpunim të plotë, por edhe pa kushte gjatë hetimeve për zbardhjen e plotë të sulmeve që ndodhën në Banjskë, në veri të Kosovës më 24 shtator, sulme të cilat BE-ja i quajti terroriste.

Në këtë rast, askush nuk duhet të fshihet prapa qëndrimeve rreth statusit si pretekst.

Në një konferencë me gazetarë në Bruksel zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe siguri, Peter Stano, duke iu përgjigjur pyetjeve se me kë duhet të bashkëpunojë Serbia në hetime pasi Beogradi thotë se nuk e njeh Kosovën.

Beogradi po ashtu ka deklaruar se nuk do ta ekstradojë në Kosovë, Milan Radoiçiqin, i cili e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.

Rezultati i hetimeve po pritet në BE edhe për të sqaruar nëse do të ketë masa ndëshkuese ndaj Serbisë. Një numër i madh shtetesh kanë kërkuar që të vendosen masa ndaj Serbisë, por Komisioni Evropian dhe disa vende anëtare po hezitojnë me arsyetimin se “duhet pritur përfundimin e hetimeve për të parë se a ka pasur lidhje Serbia me këtë akt”.

“Pritjet tona nga Serbia janë jo vetëm që të ketë nga ajo bashkëpunim të plotë, por të ketë bashkëpunim pa kushte. Nëse ka vullnet, ka edhe rrugë dhe askush nuk duhet të fshihet prapa formaliteteve si njohja e palës tjetër apo mosnjohja. Ka shumë rrugë se si mund t’i shkëmbeni evidencat, si mund të bashkëpunoni dhe si mund të kontribuoni plotësisht në hetime”, ka thënë Stano./Telegrafi/

Exit mobile version