Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se përgjegjësit e krimeve të luftës në Kosovë duhet të vihen para drejtësisë. Ai ka reaguar pasi Policia e Kosovës ka arrestuar një serb në Graçanicë, nën dyshimin për krime kundër popullatës civile.
Ministri i Brendshëm ka thënë se arrestimi ka ndodhur pas një punë të gjatë hetimore, nga e cila janë mbledhur prova të mjaftueshme për ekzistimin e dyshimit për pjesëmarrje në krimet gjatë kohës së luftës.
“Në cilësinë e gardianit të burgut në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, gjatë asaj periudhe, në mënyrë sistematike, dyshohet se ka ushtruar torturë e dhunë çnjerëzore ndaj të burgosurve shqiptarë, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë. Gjatë kontrolleve të zhvilluara dhe bastisjes në banesën e të dyshuarit ditën e sotme, janë gjetur dhe konfiskuar armë ilegale në posedim të personit”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu ka përgëzuar Policinë e Kosovës për punën e bërë.
“Përgëzoj Policinë e Kosovës për punën e jashtëzakonshme të zhvilluar gjatë hetimeve si dhe për arrestimin. Sado që vitet kalojnë, keqtrajtimet dhe torturat e atyre viteve nuk mund të kalojnë pa u ndëshkuar. Përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë”, ka shkruar ai.
Policia e Kosovës ka arrestuar një serb të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile.
Bëhet fjalë për periudhën e luftës në Kosovë (1998-1999) kur personi në fjalë, si gardian i burgut, dyshohet të ketë ushtruar torturë, dhunë fizike e psikike dhe trajtime çnjerëzore ndaj të burgosurve shqiptarë.
Arrestimi i personit me inicialet D.M është bërë në orët e paradites në zonën e Graçanicës.