Site icon Telegrafi

Sveçla: Përgjegjësia për vrasjen e heroit Afrim Bunjaku dhe organizimit të sulmit terrorist është drejtpërdrejtë e Serbisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka vënë sot kurora lulesh tek varri i heroit Afrim Bunjaku, në njëvjetorin e vrasjes së policit në sulmin terrorist që u bë më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Sveçla në një postim në Facebook shkruan se përgjegjësia për vrasjen e Heroit Afrim Bunjaku dhe organizimit të atij sulmi terrorist është drejtpërdrejtë e Serbisë.

“Me nderime të larta përulemi sot para figurës dhe sakrificës së Rreshter Afrim Bunjakut, dëshmorit më të fundit të Republikës sonë që ra heroikisht një vit më parë në ballafaqim me grupin terrorist të Serbisë që synoi aneksimin e veriut të vendit tonë.

Rënia e tij mbrojti sovranitetin e territorin e vendit tonë andaj është edhe heroike, edhe e paharrueshme”, shkruan ai.

Tutje, Sveçla theksoi se drejtësia është e pashmangshme dhe Serbia duhet të dorëzojë terroristët sa më parë.

“Rruga e fshatit Banjskë ku u vra Rreshter Afrimi nga sot mbanë emrin e tij. Ajo është rruga që kolegët e tij e kalojnë çdo ditë në shërbim. Mesazhi që dha Rreshter Afrimi është i qartë, terrorizmin e luftojmë me çdo kusht. Rruga që trasoi Afrimi është e përditshmja jonë bashkë me kolegët e tij, sundimi i rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës sonë.

Sot kur kujtojmë e lartësojmë Afrim Bunjakun, qëndroj pranë familjes së tij, kolegëve e miqve për të ndarë dhimbjen po aq sa edhe krenarinë që atë e patëm në mesin tonë”, tha ministri Sveçla. /Telegrafi/

Exit mobile version