Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri, ku mbetën të lënduar pesë policë si dhe u dëmtuan katër vetura zyrtare.
Ministri ka thënë se kryetarët e katër komunave veriore do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.
Gjithashtu, ai ka përgëzuar Policinë e Kosovës për profesionalizimin e treguar.
“Pas ceremonive të djeshme të betimit të Kryetarëve të komunave veriore, kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq sot janë vendosur në zyret e tyre në objektet komunale. Ata do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.
Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar në ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale, që kishin për qëllim pengimin e këtij procesi. 5 pjesëtarë të policisë janë lënduar nga sulmet e këtyre grupeve por që fatmirësisht lëndimet janë të lehta, ata ndihen mirë dhe janë në detyrë”, theksoi ai në postimin në Facebook.
Ministri tutje ka shkruar “ftoj të gjithë qytetarët tanë që të mos bien pre e manipulimeve të grupeve kriminale të cilët për hir të përfitimeve kriminale personale e grupore dëshirojnë kaos dhe suspendim të shtetit të së drejtës e të demokracisë”.
“Institucionet demokratike të Republikës së Kosovës do të jenë gjithnjë në shërbim të qytetarëve të vendit pa dallim dhe të pakompromis me sulmuesit e demokracisë, ligjit dhe qytetarisë”. /Telegrafi/