Site icon Telegrafi

Sveçla nuk tregon se kur do të emërohet drejtori i Policisë: Jemi në proces

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në seancën e sotme të Kuvendit është pyetur nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, se kur do të emërohet drejtori i ri i Policisë dhe se pse një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri tani.

Sveçla ka refuzuar të japë datë, ndërsa ka thënë se faza e dorëzimit të aplikacioneve është përmbyllur dhe se tani janë në proces të themelimit të Komisionit që do të vijojë fazat e tjera të procesit.

“Besoj se ju e dini se faza e dorëzimit të aplikacioneve është përmbyllur. Jemi në proces të themelimit të Komisionit që do të vijojë fazat e tjera të procesit. Sapo të themelohet Komisioni me anëtarët që plotësojnë kriteret, do të vazhdojë me procedurat tjera deri në finalizim. Jam i bindur që Komisioni me profesionalizëm do ia dalin me sukses këtij procesi të rëndësishëm”, ka deklaruar ministri.

Ai tutje ka thënë se ndonëse me ushtrues detyre, nuk ka ngecje brenda Policisë së Kosovës.

“Të gjithë zyrtarët policorë janë në nivel të lartë të detyrës. Pozita e drejtorit të Policisë është ndër funksionet më të rëndësishme të shtetit tonë. Që nga marrja e mandatit jemi angazhuar që në institucione të ketë njerëz me integritet e profesionalizëm në detyrat e tyre”./Telegrafi/

Exit mobile version