Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është zotuar se do të vazhdojnë të luftojnë të gjitha bandat që kanë synim terrorin ndaj qytetarëve të Kosovës dhe destabilizimin e vendit.
Ministri përmes një postimi në Facebook ka thënë se mbrëmë në veri janë rrahur dy të rinj shqiptarë, dhe se ky akt është i papranueshëm, transmeton Telegrafi.
“Bandat kriminale në veri të vendit tonë ndër vite kanë ushtruar terror mbi qytetarët tanë përmes akteve të tyre të ndryshme kriminale.
Qytetarët tanë, veçanërisht ata shqiptarë, janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, ata që kanë qëndruar janë rrahur, maltretuar e terrorizuar në vazhdimësi nga këto grupe kriminale. Shumë prej tyre janë larguar nga aty pikërisht për shkak të këtij terrori të ushtruar sistematikisht nga struktura kriminale me urdhër nga Beogradi. Akte të njejta kanë ndodhur edhe ndaj qytetarëve të etnisë serbe të cilët kanë njohur dhe kanë bashkëpunuar me institucionet tona”, ka thënë ai,
Tutje, ai ka shtuar “Mbrëmë, 15 deri në 20 persona kanë rrahur dy të rinj shqiptarë. Ky akt, si çdo tjetër është i papranueshëm dhe organet tona janë të angazhuara që sulmuesit të sillen sa më parë para drejtësisë”.
Gjithashtu, ministri ka njoftuar se mbrëmë është arrestuar edhe një serb, i dyshuar për sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it.
“Në anën tjetër, Policia e Kosovës sot ka arrestuar Nenad Orlovic, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, i cili dyshohet për sulm ndaj KFOR-it në ditën e 29 majit në Zveçan ku mbeten të plagosur shumë ushtarë. Pandëshkueshmëria dhe amnistia ndër vite e kriminelëve të tillë, ka rezultuar me sulme brutale ndaj KFOR-it nga të cilat mbi 30 pjesëtarë mbetën të lënduar. Secili që ka organizuar dhe ka qenë pjesë e atyre sulmeve do të sillet para drejtësisë”, është shprehur ai.
Në fund ministri ka theksuar se “Republika nuk trembet. Secili do të japë llogari për secilin krim. Do të vazhdojmë pa u ndalur, në luftë ndaj të gjitha bandave që kanë për synim terrorin ndaj qytetarëve tanë e destabilizimin e vendit tonë”. /Telegrafi/