Telegrafi

Sveçla: Hoti e Zemaj dështuan për të mbrojtur shëndetin publik dhe jetën e qytetarëve

Ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Avdullah Hoti, i cili të shtunën hodhi akuza ndaj policisë dhe inspektoratit se nuk po zbatojnë vendimet e qeverisë për masat kundër coronavirusit.

Sfeçla, përmes një postimi në Facebook, thotë se me vendosjen e Veliut në krye të MPB-së, siguria dhe rendi në Kosovë, lë për të dëshiruar.

“Hoti, sot paska akuzuar policinë dhe inspektoriatin për mosangazhimin e tyre kundrejt pandemisë. Se sa e rëndësishme është për Avdullah Hotin dhe LDK-në siguria dhe rendi, na e kanë bërë të qartë qysh në momentin kur kanë vendosur Veliun në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Deri tani, nuk kemi parë as mbështetjen më të vogël të kësaj Qeverie ndaj Policisë së Kosovës. Por përkundër mosmbështetjes, me të gjitha vështirësitë e mungesat objektive, policia ka qenë në nivel të detyrës”, ka thënë Sveçla.

Lexo po ashtu Hoti akuzon inspektoratin dhe policinë për moszbatim të masave ndaj coronavirusit

Sipas tij, dështimi për të mbrojtur shëndetin publik dhe jetën e qytetarëve, është dështim i Hotit, Zemajt dhe kabinetit të tij.

“Moskokëçarja e kësaj Qeverie po i kushton qytetarëve me jetë. Andaj, përgjegjësia për keqmenaxhim bie mbi Hotin dhe vetëm mbi të. Kjo Qeveri koti, që nuk ka as plan e as strategji, madje duket që nuk ka as vullnet për t’i shërbyer qytetarëve, nuk mund të fshihet prapa hedhjes së fajit e baltosjes së policisë”, thekson ai.

Sipas tij, Hoti përgjegjësinë duhet ta kërkojë te vetja e tij dhe ministrat e paaftë të tij.

“Prandaj është momenti i fundit që në interes të qytetarit, ti drejtohemi qytetarit. Të dalim para tij e vullnetit të tij”, shkroi në fund Sveçla, njofton Telegrafi.