Site icon Telegrafi

Sveçla: 26 korriku të shpallet datë përkujtimore për policët e rënë në detyrë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se duke nderuar policët e rënë në detyrë, nderojnë vetveten. Ai tha 21 policët kanë rënë për të mbrojtur shtetin, dinjitetin dhe vlerat demokratike të shoqërisë. Prandaj, ai kërkon që 26 korriku të shpallet datë përkujtimore për policët e rënë në detyrë

Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se përkundër që gjendet në Kroaci me bashkatdhetarët tanë që kanë pësuar nga aksidenti, në oborrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, përballë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, sot është bërë zbulimi i pllakës përkujtimore në nderim të 21 zyrtarëve policor të rënë në kryerje të detyrës.

“21 zyrtarë policor, kanë rënë për të mbrojtur shtetin tonë, dinjitetin shtetëror dhe vlerat demokratike të shoqërisë sonë. Sot, ne përkujtojmë policët tanë të cilët ranë në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai, përcjell Telegrafi.

“Pllaka që u zbulua nga Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Drejtori i Policisë me 21 emrat e heronjve tanë të gdhendur në të, do të qëndrojë përgjithmonë aty, në oborrin e institucioneve tona”.

Ai tha se “ne e kemi obligim institucional e moral, shoqërorë e shtetërorë, individual e kolektiv, që t’i nderojmë policët e rënë me konsideratat më të larta shtetërore. Vetëm duke i nderuar ata, ne nderojmë vetveten!”.

“Unë, si Ministër do të angazhohem më të gjitha kapacitete e mia, që Policia e Kosovës të jetë edhe më profesionale, me integritet të lartë dhe gjithmonë në shërbim të qytetarëve, e krahasuar me vendet e botës demokratike”.

“Kam nderin të bëjë publike kërkesën time zyrtare tek Kryeministri z.Albin Kurti, që datën 26 korrik ta shpallim edhe me ligj të Republikës së Kosovës si datë përkujtimore për policët e rënë në kryerjen e detyrës, e ku çdo vit, do të kujtohen me nderimet më të larta shtetërore”, ka shkruar Sveçla. /Telegrafi/

Exit mobile version