Telegrafi

Suspendohet shefi i hetimeve në Inspektoratin Policor

Është suspenduar drejtori i hetimeve në Inspektoratin Policor të Kosovës Jetullah Aliu.

Suspendimi i Aliut, njërit nga eprorët më të lartë të IPK-së u bë të martën me vendim të drejtorit të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Sipas një njoftimi të IPK-së suspendimi ka ndodhur për shkak të një hetimi të cilin policia e ka nisur ndaj Aliut dhe një zyrtari tjetër të Inspektoratit.

Lajmin për suspendimin për KALLXO.com e ka konfirmuar vetë Aliu, i cili nuk ka dashur të tregojë arsyet dhe rastin, për shkak të hetimeve që janë duke u zhvilluar.

“Dje kam marrë një letër me të cilën jam njoftuar se suspendohem deri në përfundim të hetimeve të rastit,” tha Aliu.

Ai nuk ka dashur të japë detaje të tjera për personin tjetër të suspenduar.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë me zëdhënësin e IPK-së Arbër Beka, por i njëjti ka qenë i paarritshëm.

Drejtori i hetimeve të IPK-së është në mesin e personave më të rëndësishëm në hierarkinë e Inspektoratit Policor.

Ky organ ka mandat të hetojë veprimet kundërligjore të policëve të Kosovës.